Altin Lala tregon se në cilën skuadër mund të luajë Milot Rashica

Share Messenger

Ish futbollisti kuqezi Altin Lala vazhdon të komentojë situatën e kaluar të Milot Rashicës i cili nuk u ftua nga De Biasi në pjesëmarrjen e Shqipërisë në Evropianin e Francës.

Në fakt gjithmonë interesi dhe pyetja e gazetarëve është në lidhje me këtë temë pasi figura ikonë e Kombëtares tonë është njëkohësisht edhe menaxheri i Rashicës.

I ftuar në “Fax Sport”, Lala e ka prekur këtë çështje duke u shprehur se ish-trajneri i kuqezinjëve ka gabuar me vendimin e tij, megjithëse kjo i përket të shkuarës. Gjithashtu një vlerësim të lartë ka edhe për Marash Kumbullën, duke e konsideruar Shqipërinë me fat që ka një lojtar të tillë.

“Ku do të shkojë Rashica? Fillimisht mendja duhet të jetë te Werderi, pastaj do të flasim. Do të luhen ndeshjet e “Play-Out”dhe prandaj vetëm përqendrim te klubi.

U rrezikua rënia dhe Rashica doli lojtari i ndeshjes duke e dërguar klubin në fazën që të diskutojë qendrimin në Bundesligë. Duhet të ndahemi mirë me Werderin, kjo ka rëndësi. Pastaj do ta mbyllim këtë punë dhe Rashica do të jetë në ekipin e ri. Kampionati gjerman na pëlqen, pasi Miloti është ambientuar, por do t’i shohim të gjitha opsionet sepse është edhe Premier League dhe Serie-A”, ka thënë Lala.

“Bëri gabim De Biasi që nuk e mori në Europian? Po Rashica prapë për Kosovën po luan, të gjithë shqiptarë jemi. Jo se jam menaxheri i Rashicës, por nga talenti dhe e ardhmja, De Biasi duhej ta merrte në Evropian. Ishte 19-vjeçar dhe premtues, teksa kishte shënuar 9 gola me ekipin.

“Nga çdo gjë e keqe del një më e mirë”, tani Rashica mund të shkojë në Evropian me Kosovën. Nejse kjo është e shkuara, nuk dua t’i kthehem. Shqipëria është me fat që ka Kumbullën, e kam parë ndaj Moldavisë dhe m’u duk sikur kishte 50 ndeshje me Kombëtaren”, u shpreh Altin Lala.

Share Messenger

Më të lexuarat