Abrashi thotë se linja ajrore Prishtinë – Beograd do të nisë në kohë rekorde

Share Messenger

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nga projektet infrastrukturore, të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, do të krijohet një ndërlidhje më e mirë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, me finalizimin e projekteve hekurudhore, autostradës dhe të tjerave që janë pjesë e marrëveshjes në Uashington, do të krijohen shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj.

Ministri Abrashi bën të ditur se Autostrada e Paqes, lidhja hekurudhore Prishtinë-Merdare dhe lidhja hekurudhore Nish-Prishtinë janë projekte që synohen të financohen nga Korporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar.

Abrashi flet edhe për linjën ajrore Prishtinë-Beorgrad, për të cilën, siç thotë, është duke u përpiluar një marrëveshje me kompaninë ajrore Lufthansa.

Sipas tij, kjo linjë ajrore do të nisë në kohë rekorde.

“Qeveria e Kosovës ka paraqitur projekte të ndryshme në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; mes tjerash, edhe këto projektet që kanë qenë të iniciuara më herët si ide në letrën e qëllimit të mirë, të muajit shkurt të këtij viti. Ne kemi paraqitur projekte të mëdha infrastrukturore, që do të bëjnë një ndërlidhje më të mirë në Ballkan, në mënyrë që të krijohen më shumë vende të reja të punës dhe mundësi për ndërmarrësit e rinj dhe njerëzit në Ballkan.”

“Projektet që kanë kaluar, ato që shihen në publik dhe që kanë kaluar në Shtëpinë e Bardhë, pranë presidentit të SHBA së, Donald Tramp, janë: autostrada Prishtinë-Merdare, ose pjesa e mbetur e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka një gjatësi prej 27 kilometrash. Dhe, nëse kryhen procedurat shpejt, besoj që brenda 12 muajsh përfundon.”

“Projekti i dytë ka të bëjë me hekurudhat e mbetura, të parehabilituara, që janë jashtë funksionit – [ajo] Fushë Kosovë-Meradre, e cila ka një gjatësi prej 45 kilometrash. Këtu e kemi lënë të hapur mundësinë, nëse traseja ekzistuese do të jetë apo do të bëhet trase tjetër, pasi që dihet që në pjesën që kalon nëpër Prishtinë, ky rrjet apo kjo rrugë ka pasur ndërhyrje të mëdha. Po ashtu edhe tuneli që është i dëmtuar, merr një kosto të madhe të rehabilitimit. Pra, varësisht nëse është kjo trase apo tjetër, ndryshon edhe kostoja”, tha ndër të tjera Abrashi.

Share Messenger

Më të lexuarat