Abdixhiku: Ky dimër do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë

Share Messenger

Kryetari i LDK-së, sërish ka hedhur kritika ndaj Qeverisë Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se dimri i 2022 do të jetë më i rëndi që ka përjetuar Kosova ndonjëherë.

Këtë Abixhiku e ka ndërlidhur me reduktimet e energjisë elektrike, e po ashtu faturat e në rritje.

“Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë”, tha ai.

Sipas tij, në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë.

“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”.

“Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi”, tha Abdixhiku.

Tutje ka shtuar se për të përballuar krizën, Qeveria e Kosovës, do duhej ta bënte një pako të re fiskale.

“E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë. Familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë. Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Në fund tha se Qeveria Kurti, po i bën dy vjet pa lënë asnjë gjurmë.

“Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, shkroi Abdixhiku.

https://www.facebook.com/abdixhiku/posts/10159065319787759

Share Messenger

Më të lexuarat