Më 1 shkurt 2022 nisin punët për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosova B”

Share Messenger

Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e NOX-it është tashmë i rumbullaksuar edhe financiarisht. Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtyre dy projekteve rivitalizuese në Kosovën B, është i siguruar tërësisht nga BE-ja.

Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem. Sipas ekspertëve të KEK-ut, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet.

Pra, po qe se bëhen riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045. Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B duhet të ndërrohen filtrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë.

Me ndërrimin e filtrave te Kosova B, përkatësisht instalimin e filtrave të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i pluhurit në minimum. Dhe nëpërmjet ndërhyrjes-riparimit të procesit të djegjes reduktohen maksimalisht NOX.

Ndërsa, nëpërmjet ndërrimit të një impianti që planifikohet me projekt tjetër nga ai i ndërrimit të filtrave reduktohet SOX. Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e NOX është tashmë i rumbullaksuar edhe financiarisht.

Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtyre dy projekteve rivitalizuese në Kosovën B është i siguruar tërësisht nga BE-ja. Por, nisja e punëve për realizimin e këtyre projekteve është shtyrë për shkak të pandemisë. Ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020 dhe është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022.

Parashihet që këto projekte, ndërrimi i elektrofiltrave dhe ndërhyrja në procesin e djegies për ta reduktuar NOX në Kosovën B të përfundojnë më 15 tetor 2023. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara.

Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut. Projekti tjetër, i ashtuquajturi FDG (SOX)-ndërrimi i impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX, parashihet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së.

Share Messenger

Më të lexuarat