Xhaka tregon kush ia kishte paguar dënimin për festimin me shqiponjë kundër Serbisë

Share Messenger

Granit Xhaka ka bërë të ditur se dënimin prej 10 mijë frangash, për festimin me shqiponjë në ndeshjen e Kupës së Botës 2018 kundër Serbisë – atij dhe Xherdan Shaqirit ia kishte paguar një biznesmen shqiptar.

Xhaka dhe Shaqiri shkaktuan tërmet dhe reagime të mëdha – sidomos ankesa nga Serbia e cila i akuzoi ata për festim politik të golave – kur i festuan dy golat e fitores së Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në një ndeshje të Grupit E në Botërorin e Rusisë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, që është simbol në flamurin kombëtar shqiptar, shkruan Gazeta Express.

Dyshja nga Kosova rrezikoi pezullim të gjatë, por FIFA vendosi kundër një vendimi të tillë dhe i dënoi ata vetëm me gjoba.

Mesfushori i Arsenalit dhe sulmuesi i Liverpoolit u gjobiten me nga 10 mijë franga zvicerane secili, por morën edhe një paralajmërim nga organi qeverisës i futbollit botëror se do të ndëshkohen rëndë nëse e përsërisin të njëjtën gjë në të ardhmen.

Xhaka – i cili është në Prishtinë aktualisht për “Lojën e Yjeve”, ku skuadra e tij do të përballet me atë të Milot Rashicës për bamirësi – ka bërë të ditur se një biznesmen shqiptar ia kishte paguar dënimin e FIFA-s.

“Një biznesmen shqiptar na i kishte paguar dënimin atëherë për e patëm bërë shqiponjën në Rusi”, është shprehur Xhaka.

Natyrisht, shumë futbollistë shqiptarë dhe të tjerë me prejardhje shqiptare vazhdojnë të festojnë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, por Xhaka dhe Shaqiri e bënë në një ndeshje shumë më të ndjeshme, ndaj Serbisë, nga e cila Kosova e shpalli pavarësinë më 2008.

Që prej atëherë, dyshja nuk është parë duke festuar në këtë mënyrë në asnjë ndeshje dhe Xhaka thotë se nuk do ta përsërisë më.

I pyetur para disa ditësh nga gazeta zvicerane Blick për festimin me shqiponjë ndaj Serbisë, Xhaka tha: “Ishte një fitore e rëndësishme me një gol në minutën e fundit dhe një ndeshje nga e cila kam mësuar shumë”.

“Një situatë e tillë nuk do të ndodhë më. Në përgjithësi, megjithatë, unë do të reagoj më shpejt në të ardhmen nëse kam nevojë për koment apo për përmirësim”, theksoi Xhaka kur u pyet sesi do të reagonte.

Share Messenger

Më të lexuarat