Veseli kërkon zvogëlimin e pagës së tij dhe të deputetëve

10 Shares Share Messenger

Në kohën kur arsimtarët po kërkojnë që t’iu rritet koeficienti i pagës, dhe kur ata nuk po arrijnë të pajtohet me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentar Kadri Veseli ka kërkuar edhe zyrtarisht që t’i zvogëlohet rroga. Nëse ulet paga kreut të kuvendit, do t’i zvogëlohen edhe deputetëve.

Veseli i ka dërguar një letër Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media përmes së cilës i kërkon që në kuadër të shqyrtimit të Ligjit për Paga, koeficienti i pagës së kryetarit të Kuvendit të zbresë në 9.

Koeficienti i pagës së kreut të Kuvendit me propozim të Ministrisë së Administratës Publike është 11.

Sipas Veselit, kjo kërkesë e tij është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformës së përgjithshme të administratës publike, nivelizimit të pagave dhe akomodimit të përmbushjes së kërkesave të sektorëve të ndryshëm, në mënyrë që të ruhet stabiliteti buxhetor.

“Kërkesa ime besoj se është në përputhje edhe me gjendjen reale socio-ekonomike të vendit”, thuhet me tej në letrën e kryetarit të Kuvendit dhe PDK-së.

Zvogëlimi i pagës së kryetarit të Kuvendit nënkupton edhe zvogëlimin e pagës së deputetëve, pasi çdo zvogëlim i koeficientit ka efekt zingjiror.

Share Messenger

Më të lexuarat