Valdete Idrizi premton punësim për të rinjtë, subvencione për bujqësinë dhe kompleks artizanal

Share Messenger

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me kandidaten për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, në një konferencë për media kanë shpalosur pikat e programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm në Mitrovicë.

Ata kanë thënë se zhvillimi ekonomik do të jetë shtyllë kryesore e programit, i cili do të zbatohet përmes disa veprimeve konkrete që mundësojnë zhvillimin e bizneseve ekzistuese dhe hapjen e bizneseve të reja përmes mbështetjes së komunës.

Kreu i PDK-së vlerësoi lartë përkushtimin e Valdete Idrizit për t’i ofruar Mitrovicës një qeverisje me program të qartë, që do ta zhvillojë këtë qytet. “Zëri i qytetarëve na thotë se nevojitet një ndryshim i shpejtë i gjendjes së tyre ekonomike, se ata duan një rritje më të madhe të mirëqenies së tyre. Ne jemi këtu në Mitrovicë për t’ju thënë se ne do i përgjigjemi kësaj kërkese, sepse e kemi dëshmuar që ne jemi të vetmit që kemi forcën për t’i sjellë këto ndryshime. Do të jemi partnerët më të besueshëm të sipërmarrësve, prodhuesve, tregtarëve, zanatçinjve e fermerëve në përpjekjet e tyre për të forcuar dhe zgjeruar aktivitetet e tyre ekonomike”, ka thënë Veseli, duke shtuar se komunat që do të drejtohen nga PDK-ja do të qeverisin me transparencë dhe integritet.

Kandidatja për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, e falënderoi kryetarin Veseli për mbështetjen e madhe dhe përkushtimin për ndryshime rrënjësore në Mitrovicë. Ajo theksoi se programi ekonomik për Mitrovicën do t’ia kthejë dinjitetin dhe shpresën qytetarëve.

“Prioritet do ta kemi krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë, duke mbështetur idetë e tyre përmes fondit të punësimit, krijimin e kompleksit me biznese artizanale në Stanterg, subvencionimin e bujqësisë dhe krijimin e lehtësirave për biznese, duke u ofruar ambient sa më të mirë për të bërit biznes në Mitrovicë”, tha ajo.

Idrizi përmendi se do të ketë subvencionime ë vendeve të punës për të rinjtë, fokusim në bujqësi përmes programeve mbështetëse. Po ashtu, ajo premtoi se do të krijojë një fond të veçantë mbështetës për biznese të reja që do të jenë iniciativë e rinisë. Për një zhvillim më të mirë ekonomik, Idrizi theksoi se do të investohet në kompletimin e infrastrukturës së nevojshme, që do ta bënte edhe më të lehtë punën bizneseve. Kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës premtoi se do të krijohet edhe kompleksi i bizneseve artizanale në Stanterg, në kuadër të Peizazhit të Mbrojtur –Trepça. Në këtë kompleks pritet të krijohen afër 200 biznese të reja me arizanale. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, pas konferencës për media, bashkë me kandidaten për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, kanë vizituar edhe bizneset në Parkun e Biznesit në Mitrovicë. Atyre u premtuan mbështetje për zgjerimin e veprimtarive të tyre biznesore.

Share Messenger

Më të lexuarat