Ushtarë nga Shqipëria e Kosova në Kroaci në stërvitjet e NATO-s

Share Messenger

Në kuadër të stërvitjeve ushtarake e NATO-s “Përgjigjja e menjëhershme-19”, e cila po mbahet në Kroaci, Slloveni e Hungari që nga 10 maji e vazhdon deri më 6 qershor, raportohet për arritjen në portin e Zarës të dy anijeve desante të marinës luftarake të Kroacisë, “Krka” dhe “Cetina”, nga të cilat dje “kanë zbarkuar qindra pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës me 23 automjete”, raporton sot agjencia kroate e lajmeve “Hina”, transmeton Koha.net.

Siç citohet komandanti i anijes “DBM-82: Krka”, Davor Alujeviq, “kjo është hera e parë që me anijet e Marinës Luftarake të Kroacisë të transportohen forca të Shqipërisë e të Kosovës me vend-zbarkim në portin e shtetit aleat, përkatësisht nga Porti i Durrësit”.

Agjencia kroate e lajmeve, “Hina”, thekson se “pas zbarkimit në Gazhenicë, ato forca me rrugë tokësore do të transportohen në poligonin ushtarak ‘Eugen Kvaternik’ te Sllunji (Kroaci)”.

Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi dje se në stërvitjen ushtarake “Përgjigjja e Menjëhershme- 19” është bërë desanti i forcave amerikane në poligonin ushtarak te Sllunji.

“Hina” bën të ditur se Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë thekson se ndër 1.600 ushtarë që marrin pjesë në stërvitjen nga Kroacia, Sllovenia, Hungaria, SHBA, Shqipëria, Mali i Zi, Polonia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Maqedonia Veriore, Bosnja e Hercegovina, Italia dhe Gjermania, janë edhe pjesëtarët e forcave të armatosura të Kosovës, transmeton Koha.net.

Po ashtu theksohet se këtë stërvitje e ka planifikuar dhe e drejton Komanda e Forcave Amerikane për Evropën (USEUCOM), me qëllim të stërvitjes së forcave të vendeve anëtare të Iniciativës A-5.

Në këtë Iniciativë, që bart emrin edhe të Kartës Ameriko-Adriatike, anëtare janë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, BeH dhe SHBA. Forcat e armatosura të Kosovës janë ftuar për herë të parë në një aktivitet të saj.

Kujtojmë se dje, MFSK-ja njoftoi për nisjen e një kontingjenti të FSK-së për të marrë pjesë në ushtrimin fushor të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë (USAREUR) e cila realizon ushtrimin e përbashkët fushor me shtetet e NATO-s dhe me shtetet partnere, të quajtur “Immediate Response -19” (Përgjigjja e Menjëhershme-19).

FSK-ja po merr pjesë në këtë ushtrim me 45 pjesëtarë të Batalionit të Tretë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Skuadrës së Deminimit (EOD). Ushtrimi do realizohet prej datës 20 maj deri më 8 qershor 2019 në Kroaci dhe Hungari.

Ushtrimi do të zhvillohet me ekzekutimin e stërvitjeve në terren në nivel batalioni, ku do të përfshijë pritjen, përqendrimin e trupave, lëvizjen tutje dhe integrimin, me qellim kryesor të ndërveprimit në nivel taktik, në mes të ushtrive të shteteve pjesëmarrëse.

“Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë marrin pjesë në trajnime dhe ushtrime të ndryshme bilaterale dhe multilaterale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, me qëllim që gjatë tërë kohës të jenë sa më të përgatitur, për të vepruar dhe punuar në mjedis të kombinuar shumëkombësh, si dhe të shkëmbejnë përvoja me shtetet partnere”, tha dje MFSK-ja.

Share Messenger

Më të lexuarat