“Tragjedia e FC Messit”

Share Messenger

Pas disfatës turpëruese të Barcelonës, me rezultat 4:0, kundër Liverpoolit, duhet të shtrohet disa pyetje serioze për klubin katalonas.

Rrugëtimi i “Blaugranëve” drejt finales së Ligës së Kampionëve dukej tashmë i sigurt, pasi Lionel Messi e frymëzoi skuadrën e tij ta fitojë ndeshjen e parë kundër Liverpoolit me rezultat bindës 3:0, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, është Liverpooli klubi që do të udhëtojë në Madrid për të marrë pjesë në finale, ndërsa argjentinasi dhe bashkëlojtarët e tij do ta shikojnë këtë ndeshje nga shtëpia.

Por, ajo që do ta zemërojë Messin edhe më shumë këtë vit është fakti se qëllimi kryesor i tij dhe i drejtuesve të klubit për këtë sezon ishte triumfi në Evropë.

Kjo do të thotë që përkundër që e fituan titullin e La Ligës për 11 pikë më shumë, një re po e lë këtë sezon në errësirë dhe tanimë është vënë dyshim mbi të ardhmen e trajnerit Ernesto Valverde në klub.

Në fillim të sezonit, gjatë një fjalimi në fushë, Messi u tha tifozëve: “Ne u premtojmë se këtë vit do të bëjmë gjithçka të mundshme për ta kthyer këtë trofe të bukur, që kërkohet nga të gjithë, në Camp Nou”.

31-vjeçari bëri gjithçka të mundur për ta realizuar premtimin, mirëpo ashtu si me ekipin kombëtar, ai u zhgënjye nga bashkëlojtarët e tij.

Paraqitjet e Messit në rrugëtimin drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kishin qenë të jashtëzakonshme – nga superparaqitja e tij kundër Tottenhamit në Wembley te shkatërrimi i Manchester Unitedit në Camp Nou.

“Tragjedia e FC Messit”

Mund të argumentohet se ky sezon ka qenë më i miri në karrierën e Messit në Ligën e Kampionëve, nga fillimi deri në fund, përkundër që pati disa kundërshtarë mjaft të vështirë.

Një tifoz e ka publikuar një video me momentet e tij më të mirë këtë sezon në Evropë. Pamjet e Messit shoqërohen me lëvdatat e komentatorëve, trajnerëve dhe lojtarëve për argjentinasin.

Por, megjithatë, më 1 qershor në “Wanda Metropolitano”, mund të jetë Dejan Lovren apo Kieran Trippier që e mban në duar trofeun e Ligës së Kampionëve, e jo Messi.

Natyrisht, Messi e ka mbajtur në duar këtë trofe katër herë gjatë karrierës së tij, për herë të fundit në vitin 2015.

Pyetja mbetet se a do ta përjetojë ai këtë kënaqësi edhe një herë tjetër, pasi që Barcelona e ka sabotuar veten për dy sezone radhazi në Evropë.

Në vitin 2018, ata shkuan në ndeshjen kthyese të çerekfinaleve kundër Romës me epërsi 4;1 nga ndeshja e parë, mirëpo arritën ta hedhin poshtë këtë epërsi. Tronditje të ngjashme pësuan edhe vetëm para disa javëve, këtë herë nga duart e Liverpoolit.

Këtë sezon, Messi fillimisht ishte kritikuar për paraqitjen e tij në Anfield, mirëpo, pas analizimit të statistikave, ai ishte njëri ndër lojtarët e vetëm të Barcelonës që arrinte të krijonte raste.

Dhe në dy sezonet e fundit, përderisa i ka shënuar 18 gola në Evropë, duket se ai po bën gjithçka i vetëm. Ousmane Dembele i ka shënuar vetëm katër gjatë kësaj kohe, Luis Suarezi dy dhe Philippe Coutinho tri. /Gazeta Express/

Share Messenger

Më të lexuarat