Shtetasi francez i afërt me Daçiqin nuk lejohet nga policia të hyjë në Kosovë

Share Messenger

Arnaud Gouillon është shtetasi francez të cilit autoritetet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen brenda territorit të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Express.
33-vjeçari ishte ndaluar nga Policia e Kosovës teksa kishte tentuar të futej në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Merdare.

Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

“Mund te ju konfirmojmë se me vendim te institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës, është ndaluar personi në fjalë në pikën kufitare dhe pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore të njëjtit i është refuzuar hyrja në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ndërkohë në përgjigjen e Policisë së Kosovës edhe përkundër pyetjes së Gazetës Express, nuk janë treguar arsyet e ndalimit.

Por siç kanë raportuar mediat serbe, Arnaud Gouillon kishte planifikuar që ta vizitonte qytetin e Prizrenit dhe qytetin e Artanës, por Policia e Kosovës i kishte thënë se nuk kishte leje që të hyjë në Kosovë.

Për ndalimin e tij nga autoritetet kosovare ka reaguar edhe zv.drejtori i ‘Le Figaro’, një prej mediumeve më të mëdha në Francë.

Siç shkruan Jean-Christophe Buisson, shtetasi francez ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Merdare.

Arnaud Gouillon ishte mbajtur për rreth tri orë aty, dhe më pas ishte deportuar për në Republikën e Serbisë.

Bashkë me të siç thotë Buisson ka qenë edhe prifti Teodosije i cili shërben në Kosovë.

Shtetasi francez të cilit i është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës ka jetuar për një kohë të gjatë në Serbi, ndërkohë në vitin 2004 kishte themeluar një organizatë joqeveritare të quajtur ‘Solidarity Kosova’, dhe thuhet të ketë ndihmuar banorët serbë të cilët jetojnë në jug të qytetit të Mitrovicës.

Gouillon është i martuar me një shtetase serbe dhe është jashtëzakonisht i afërt me Ivica Daçiqin dhe ministrin serb të mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq. Kohë më parë Daçiq i kishte ndarë atij një mirënjohje që lidhet kinse me veprimtarinë humanitare të organizatës ‘Solidarity Kosova’.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/shtetasi-francez-i-afert-me-daciqin-dhe-stefanoviqin-nuk-lejohet-nga-policia-qe-te-futet-ne-territorin-e-republikes-se-kosoves-577330/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Share Messenger

Më të lexuarat