Shqipëria goditet edhe tri herë nga tërmetet pas mesnate

Share Messenger

Ankthi në Shqipëri ka vazhduar edhe në orët pas mesnate pasi është goditur edhe nga tri tërmete tjera duke çuar numrin e tërmeteve në 9 të tilla në 24 orët e fundit.

Qendra Sizmologjike Mesdhetare ka njoftuar për tri tërmetet tjera që goditën Shqipërinë brenda një ore.

I pari pas mesnate ishte në ora 02:18, me magnitudë 2.7 shkallë Rihter, me epiqendër 25 kilometra në Perëndim të Tiranës.

I dyti pas mesnate u regjistrua 10 minuta më vonë, në ora 02:28, me magnitudë 4.4 shkallë Rihter. Epiqendra e këtij tërmeti të fuqishëm ishte 29 kilometra në Perëndim të Tiranës.

Tërmeti i tretë u regjistrua në ora 02:49, ndërsa dridhjet ishin 3.5 shkallë Rihter, kurse epiqendra 35 kilometra në Perëndim të Tiranës.

Autoritetet shqiptare kanë bërë thirrje që banorët e zonave ku ka paralajmërime për vazhdim të dridhjeve të mundshme sizmike të qëndrojnë jashtë shtëpive e pallateve, pasi deri tani janë dëmtuar shtatë pallate në Tiranë e Durrës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, njoftohet për së paku 105 të lënduar.

Ndërkaq dëmet materiale llogariten shumë të mëdha, kurse tashmë të gjithë mekanizmat shtetërorë shqiptare janë në gatishmëri për t’u vënë në ndihmë qytetarëve.

Share Messenger

Më të lexuarat