Reja zbulon gjithçka: Kontrata e re, e ardhmja me Shqipërinë, Xhaka e Grezda

Share Messenger

Edoardo Reja ka zbuluar se dje u takua me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, për të diskutuar për të ardhmen, ndërsa komentoi edhe për situatën e Taulant Xhakës dhe Eros Grezdës.

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Pressing” në ABC News, për të folur rreth situatës tek kombëtarja kuqezi, transmeton Gazeta Express.

AKORDI PËR KONTRATËN E RE – Po, e kishim konkluduar akordin 20 ditë më parë akordin. Sot u ritakuam për të ardhmen tonë, dhe jo vetëm për pjesën teknike që më takon mua, por edhe ato mjekësore, përgatitësin atletik, video-analistin, dhe për perspektivën tonë për të ardhmen.

MË HERËT TRAJNER? – Më përpara nuk mund të isha trajner. E rëndësishme është të jesh nga fillimi në skuadër. Kam hyrë në një moment kur ekipi ishte i projektuar. Humbëm pak kohë me fillimin e ngadaltë. Bëmë ndeshje të mira në Islandë apo Turqi, por defekt ishte ndeshja me Andorrën, sepse gjithë vëmendja ishte për Francën. Kishte një mungesë vëmendje për Andorrën. E marr unë përgjegjësinë, sepse nuk e karikova si duhet ekipin. Nuk mund ta them nëse do ishim në Evropian sot, nëse do vija më herët. Nuk mund ta parashikoj, nuk ka siguri në futboll, ka gjithmonë pikëpyetje. Për mënyrën si e bëmë këtë periudhë, skuadra reagoi mirë pas punës së bërë, pashë që djemtë kishin entuziazëm kur vinin në grumbullim. Patëm një temperament të mirë në fushë, shënuam disa gola më shumë se më herët, dhe gjetëm një bashkësi që më ka bërë të lumtur.

KUALIFIKUESET E BOTËRORIT – Në këtë moment do jetë pak e vështirë, kualifikueset në Botëror kanë skuadra të rëndësishme. Duhet të mendojmë për Evropianin pas 4 vitesh. Duhet të jemi përgatitur aq mirë për të arritur atje. Përpara kemi eliminatoret e Botërorit. Duhet të punojmë me intensitet të lartë, dhe të përmirësohemi. Këtë diskutim kemi bërë me presidentin sot. Duhet të punojmë me të rinjtë nëse mendojmë për të ardhmen. Nuk e di sa do qëndroj unë këtu, por dua të lë një shenjë, që ai që do vijë pas meje të ketë tavolinën gati.

A GJETËT NJË FRYMË DIKTATORIALE? – Secili nga ne ka drejtimin e vet. Nga karakteret nuk jemi të njëjtë, por qëndrimi që kam mbajtur në klubet ku kam qenë, ka qenë demokratik në lidhje me respektin. Ka nevojë gjithmonë për respekt. Lojtarët duhet të kenë respekt jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj shokëve. Janë djem inteligjent në Kombëtare, dhe shpresoj ta kenë kuptuar këtë. Edhe kur stërvitemi, nuk dua që të kemi qëndrime të ndryshme.

SKEMA 3-5-2 – Sigurisht që mund të luajë, e provova këtë modul kur erdha. Moduli im i preferuar është 4-3-3, është kali im i betejës. Pashë ndeshjet para se të vija unë, dhe ishte ekip pa ekuilibrër, pësonte gola të èuditshëm. Më pëlqen të luaj me 2 sulmues qëndrorë, dhe me 3 mesfushorë qendra. Me dy lojtarët e krahut, kemi èuar gjithmonë një lojtar më shumë në zonë për të rrezikuar. Mbrojmë 5 veta, dhe sulmojmë 5 veta. Kemi bërë ndeshje pozitive, e gjetëm ekuilibrin në këtë formë. Është e pamundur të forcohesh duke luajtur në një mënyrë që nuk është në karakteristikat e tua. Një lojtar ndërkombëtar duhet të dijë të bëjë disa role, duhet të bëjë disa faza difensive apo ofensive. Me Interin po luan Kandreva mbrojtës krahu. Ky modul na ka dhënë garanci, nëse do gjej lojtarë të tjerë, mund të provoj edhe module të tjera. Lojtarët kënaqen që luajnë me këtë modul, prapa janë të mbuluar dhe krijojnë më shumë para. Por, garancinë dhe situatat nuk t’i jep doemos moduli i lojës.

HYSAJ DHE ROSHI – Duke folur me Hysajn, ma kërkoi që ta bëjë atë rol, sepse është i lumtur aty. Roshi ka pasur disa vështirësi, sepse ai do të bëjë sulmuesin. Por, unë ia sqarova që në atë pozicion ka mundësi të bëjë sulmuesin në krah. Roshi është një sulmues që nuk është i përshtatshëm të luajë me shpinë nga porta. Ka nevojë për hapësira dhe të synojë driblimin e kundërshtarit. Në stërvitje, unë i provoj këto skema. Lojtarët nuk i kam gjithë muajin, që të përshtas një linjë. Duhet të gjejmë zgjidhjet më të mira, për ato pak kohë që kemi qenë bashkë. Tani e ndjej që është një skuadër e vërtetë. Kur erdha nuk ishte kaq kompakte. Tani jam i kënaqur.

KONTRATA 4-VJEÇARE – Në karakterin tim, përgjegjësinë e ndjej gjithmonë, edhe pse kohëzgjatjet e kontratave mund të kenë qenë të ndryshme. Përgjegjësia që ndjej është sikur të kem gjithmonë 4 vite në kontratë. Presidenti ma propozoi, dhe e pranova. Mund të rri edhe më shumë. Për sa kohë jam në gjendje ta bëj me përgjegjësinë e duhur këtë punë, mund ta bëj. Nuk jam vetëm unë, kam edhe një staf të madh nga prapa. Kemi formuar një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh.

RINOVIMI I SKUADRËS – Rinovimi i skuadrës do jetë gradual, jo total. 2-3 lojtarë mund të futen në të njëjtën kohë. Kemi një skelet. Gjimshiti është i ri, Veseli po ashtu. Roshi mund të ecë përpara. Kemi Hysajn. Memushaj është një lojtar që ka një farë moshe, dhe aty do gjejmë një zgjidhje. Bare është i ri, Xhaka mund të rikthehet dhe është për të ardhmen. Cikalleshi ka një farë moshe, por 2-3 vjet i nxjerr mirë. Në sulm po monitorojmë lojtarë të rinj. Kemi 20 lojtarë, mjafton të gjejmë 3-4 të tjerë që t’i inserojmë.

GREZDA DHE XHAKA – Grezda ka bërë një zgjedhje personale. Kur më komunikoi se donte të ishte jashtë këtij ekipi, i thashë që je i lirë të mos grumbullohesh. Ai pati disa pretendime, dhe u largua. Pastaj më kërkoi falje, por ishte vonë. Për sa i përket Xhakës, në grumbullimin e fundit e thirra, por pati një dëmtim muskular siç më komunikoi. Në atë moment bëmë zgjedhje të tjera, por është në vëmendjen tonë. Nëse i përgjigjet grumbullimit, në rregull, por nëse nuk i përgjigjet, janë përgjegjësi të tij.

Share Messenger

Më të lexuarat