QKUK vërshohet nga pacientët

Share Messenger

Qendra Klinike Universiatre e Kosovës (QKUK) pritet të përballet me fluks të madh të pacientëve gjatë muajve të verës, periudhë kjo kur një pjesë e madhe e stafit mjekësor do të shkojë në pushime verore. Shumë shërbime mjekësore nuk do të mundë t’u ofrohen pacientëve sidomos gjatë muajve korrik – gusht në mungesë të mjekëve dhe të infermierëve të nevojshëm, përderisa institucionet kompetente nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete për një situatë të tillë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, pranon se mungesa e infermierëve dhe fillimi i sezonit veror do ta vështirësojë ofrimin e shërbimeve cilësore në këtë klinikë. Sipas tij, në klinikë kanë nevojë për punësimin e 15 infermierëve. “Ende nuk kemi rekrutim të infermierëve dhe ka mungesë të tyre në Klinikën e Neonatologjisë. Pushimet verore e vështirësojnë edhe më shumë ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore në klinikë. Në bazë të vlerësimit që kemi bërë dhe në bazë të nevojave sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Shërbimin Intenziv të Neonatologjisë duhet të jenë një infermier për dy foshnja, andaj ne e kemi paraqitur edhe kërkesën për 15 infermierë”, ka thënë ai.

Gojnovci ka thënë se si klinika në vazhdimësi ka përsëritur kërkesat për rekrutimin e infermierëve të rinj, por që ende nuk kanë marrë përgjigje prej institucioneve relevante.

Pushimet vjetore pritet të vështirësojnë edhe më shumë punën e mjekëve edhe në klinikat tjera të QKUK-së. Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku, ka thënë se për shkak të pushimeve të verës, kanë nevojë për më shumë infermierë. “Ndoshta personel mjekësor, infermierë kërkojmë më shumë për shkak se janë pushimet e lehonisë e pushimet e verës, kështu që stafi i mesëm nganjëherë është në mungesë”, ka thënë ajo.

Telaku ka theksuar se në mënyrë që puna në këtë klinikë të mos ngecë, mjekët koordinohen se kur do t’i marrin pushimet verore. “Është diçka që ndodh çdo vjet, pra shkojnë në pushime, por ata shkojnë në mënyrë të koordinuar, një palë shkon e një palë vjen që puna të mos ngecë”, ka thënë ajo, shkruan gazeta “Zëri”.

Tashmë me rritjen e temperaturave ka filluar të rritet numri i pacientëve edhe në Klinikën Emergjente në QKUK. Mjeku kujdestar në këtë klinikë, Avdush Bajgora, ka thënë se fluksi i pacientëve në këtë klinikë është i madh, edhe tani kur është koha që mjekët të marrin pushimet vjetore. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj mjekët punojnë shumë dhe e përballojnë numrin e madh të pacientëve. “Është duke u punuar shumë në Qendrën Emergjente. Fluksi i punës është i madh. Ne gjithmonë jemi të përgatitur 24 orë. Ne e kryejmë punën më të mirë në krejt QKUK-në dhe e përballojmë fluksin e madh prej të gjithë anëve”, ka thënë ai.

Syla: 5000 mjekë i kemi në mungesë, të koordinohen pushimet vjetore

Me fillimin e periudhës kur stafi mjekësor shfrytëzon pushimet vjetore që u takojnë, Federata e Shëndetësisë ka apeluar që të bëhet një menaxhim se si të merren pushimet nga personeli shëndetësor, në mënyrë që të mbulohen të gjitha shërbimet që kërkojnë qytetarët.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se tani kur do të fillojë të rritet fluksi i pacientëve QKUK-ja do të ketë mungesë të kuadrit. “Tani kemi pushimet, disa që kanë mbetur edhe të vitit të kaluar. Unë disa herë kam apeluar edhe te menaxhmenti që duhet të bëhet një vlerësim dhe një sistemim i marrjes së pushimit dhe të shfrytëzimit të pushimeve vjetore. Tani verës kemi edhe fluks të madh, por edhe fillon mungesa e kuadrit. I mbetet drejtorit e menaxhmentit se si do ta mbulojnë edhe atë vakuum, i cili do t’i mbulonte shërbimet”, ka deklaruar ai.

Syla ka thënë më tej se për ta përballuar numrin e madh të pacientëve duhet të punësohen edhe mjekë të rinj, sepse institucionet shëndetësore kanë nevojë edhe për 5 mijë mjekë. “Ne si Federatë gjithmonë kemi thënë se jemi në mungesë për 5000 punëtorë shëndetësorë. Është e domosdoshme, sepse një infermiere natën shërben me 40 deri në 60 pacientë e është e pamundshme të jepet shërbimi kualitativ. Duhet të punësohen aty ku ka mundësi. Nuk duhet të shikohet buxheti, ai po harxhohet si po do. Duhet të shikohet që sa më shumë të punësohen, përndryshe nuk do të mund ta përballojmë këtë krizë”, ka shtuar ai.

Millaku: Ministria nuk ka plan “B” për pushimet verore

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Drita Millaku, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen aktuale në institucionet publike shëndetësore në vend. Ajo ka thënë se tashmë gjatë stinës së verës kur dyfishohet numri i pacientëve, Ministria nuk ka bërë ndonjë plan “B” sa u përket shërbimeve shëndetësore. “Për fat të keq kemi një ministri që promovon vetëm marketing e jo punë, për atë e kemi gjendjen qysh e kemi. Në pushimet verore numri i popullsisë dyfishohet. Këta nuk kanë plan ‘B’ se çfarë duhet të bëjnë, por punojnë qysh po u konvenon për kokë të veten”, ka thënë ajo.

Sa u përket pushimeve verore, Millaku ka vlerësuar se nuk ka menaxhim të mirë sa i përket marrjes së pushimeve. “Problem është menaxhimi. Stafi duhet të menaxhohet mirë dhe jo të gjithëve në të njëjtën kohë t’u jepen pushimet”, ka shtuar ajo.

Share Messenger

Më të lexuarat