Punëtorët në Kosovë paguhen më pak se sa paga minimale

8 Shares Share Messenger

Punëtorët në Kosovë në shumë raste paguhen më pak se sa paga minimale, e cila edhe ashtu është më e ultë në rajon. Këtë e ka konfirmuar Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale, sipas së cilës, janë identifikuar mbi 60 raste të atyre që paguhen nën pagën minimale.
Punëtorët në Kosovë vazhdojnë të përballen me shkelje të të drejtave të tyre, edhe sa i përket pagës minimale. Kushtet e rënda ekonomike po i detyrojnë ata të punojnë edhe nën atë pagë, e cila edhe ashtu është më e ultë në rajon.

“Gjatë 7 mujorit të këtij viti, Inspektorati i Punës ka identifikuar 64 raste të atyre që paguhen nën pagën minimale”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale.

Këtë shqetësim e ngrit edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai për Radio Kosovën ka pohuar shkeljen e madhe të të drejtave të punëtorëve në këtë aspekt.

“Gjendja në terren është një tmerr i vërtetë. Shumë raste ka që paguhet nën pagën minimale, ka raste që thjesht janë të gatshëm të punojnë edhe për 100 euro vetëm që të mos i ndërpritet marrëdhënia e punës. Në shumicën e rasteve pagën minimale punëtorët e marrin edhe me 140 euro gjegjësisht me 110 euro, sepse nga kjo pagë minimale hiqen tatimet dhe kontributet e ndryshme. Dhe kjo pagë faktikisht është simbolike, që ne shpesh po themi është një pagë që nuk të lë as për të jetuar e as për të vdekur”, thotë Azemi.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç si dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Kjo del të jetë paga më e ultë minimale në rajon dhe Europë, pasi sipas të dhënave të publikuara këtë muaj nga Eurostat, ku nuk është përfshirë vendi ynë, në muajin korrik paga minimale më e ultë në rajon ka qenë në Shqipëri 191 euro, kurse më e larta në Turqi 446 euro. E në vendet e BE-së, paga minimale më e ultë është në Bullgari 261 euro, kurse më e larta në Luksemburg, afro 2000 euro.

Ministri Recica, në fillim të vitit ka deklaruar se i kishte dorëzuar qeverisë për miratim propozimin për rritjen e pagës minimale në 250 euro. Në përgjigjën dhënë radios sonë, Ministria e Punës konfirmon se më 11 janar të këtij viti, Ministria i ka dërguar qeverisë propozimin. Ministri Recica beson që në një nga mbledhjet e radhës, dokumenti me propozim do të jetë në tavolinën e qeverisë për miratim.

Share Messenger

Më të lexuarat