Njeriu i “hat-trick”-ave

Share Messenger

Lionel Messi është njeriu i “hat-trick”-ave. Ylli argjentinas e regjistroi një rekord të ri gjatë mesjavës duke arritur në kuotën e tetë tregolëshave në Ligën e Kampionëve, për ta kaluar Cristiano Ronaldon. Legjenda e gjigantit katalonjas nuk e ka ndërmend të ndalet. Rekorde të tjera e presin 31-vjeçarin, shkruan sot gazeta “Zëri”

Lionel Messi e ka thyer rekordin duke e kaluar Cristiano Ronaldon për t’u bërë lojtari i parë që shënon më së shumti tregolësha në histori të Ligës së Kampionëve.

Deri më tash ylli argjentinas ishte në një nivel me Ronaldon, mirëpo tre golat e fundit në Champions ia mundësuan atij ta shkruajë historinë duke u bërë lojtari i parë që shënon tetë “hat-trick” në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit evropian.

Ai bëri paraqitje të jashtëzakonshme të martën në ndeshjen e vlefshme për Grupin B, e cila u zhvillua në “Camp Nou”.

Barça hasi në vështirësi në gjysmë orën e parë, por gjuajtja e lirë maestrale e Messit e theu akullin dhe më pas vërshuan golat një pas një.

Pas golit të shkëlqyeshëm si rrjedhojë e një aksioni individual të Ousmane Dembeles, Messi shënoi edhe dy herë në 13 minutat e fundit, ndërsa duhet cekur se Samuel Umtiti u përjashtua nga loja pasi u ndëshkua me karton të kuq në fund.

48 “hat-trick”-a në karrierë

Messi ka arritur në kuotën e 48 tregolëshave në karrierë, ndërsa ka realizuar gola në Ligën e Kampionëve më shumë se PSV-ja, të cilin e mposhti Barça në mesjavë. Ai ka 103 gola, ndërsa klubi holandez ka 102 në histori të Championsit. Një e arritur e jashtëzakonshme kjo për 31-vjeçarin nga Rosario e Argjentinës.

E lavdëron Valverde

Paraqitjen e fundit të Messit e ka përshëndetur edhe trajneri Ernesto Valverde, i cili ka mbetur i mrekulluar me magjinë e yllit argjentinas.

“Messi është normal sepse ne gjithmonë e shohim atë. Nëse do ta bënte këtë një lojtar tjetër do të ishte anormale, sepse ai bën gjëra të jashtëzakonshme dhe i bën ato rutinë”, deklaroi Valverde për “Champions League TV”.

“Ne kishim nevojë ta zhbllokonim lojën. Ishte një gol maestrale. Ishte e vështirë ta arrinim golin e parë, ndërsa në pjesën e dytë filluam mirë, dominuam lojën, por rezultati 1:0 ishte i rrezikshëm. Ndërkaq, pasi e shënuam golin e dytë më pas ishim më të qetë”, shtoi trajneri i Barcelonës, i cili është pyetur edhe rreth triumfit eventual të Barçës këtë sezon në Champions.

“Kush nuk është i motivuar për Champions League? Janë vetëm gjashtë ndeshje në fazën e grupeve dhe ne e dimë rëndësinë e secilës prej tyre”, ka përfunduar Valverde.

Derisa rekordet e Messit janë shenjë se Barcelona e ka nisur mirë sezonin, klubi është në kërkim që ta thyejë rekordin e rivalit madrilen në Champions, i cili e ka fituar trofeun e çmueshëm në tri sezonet e fundit.

Share Messenger

Më të lexuarat