Nënkryetari i LDK-së flet për koalicionin me VV-në, ka një mesazh për Pacollin

Share Messenger

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka dhënë afat prej 10 ditësh Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën është në koalicion dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që ta bëjnë me dije nëse i kanë numrat për formimin e institucioneve.

Ai ka thënë se partia e tij nuk do të jetë bllokuese për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ndonëse në media deklarata e tij, u pa si një ultimatum, Pacolli ka thënë se ai nuk jep ultimatum, pasi, sipas tij, ultimatumin e vërtetë për zgjidhjen e krizës e përcakton ekonomia.

Ai ka kërkuar nga LDK dhe Vetëvendosje të formalizojnë marrëveshjen, e cila siç ka thënë ai, do t’i jepte fund krizës politike.

“Unë nuk bëjë ultimatum, ultimatumin e vërtetë për zgjidhjen e krizës e përcakton ekonomia: e përcaktojnë humbjet dhe dëmi ekonomik që po i shkaktohet Kosovës çdo ditë (vetëm deri tani 138 milionë euro më pak vetëm nga FMN).

Unë thjesht dua të shoh lëvizje politike nga LDK-ja dhe VV-ja që të formalizojnë marrëveshjen që do i jepte fund krizës politike kurse nga PAN-i sa më shpejtë të vijnë në seancë e mos ta vazhdojnë bllokadën”, ka deklaruar Pacolli.

Veliu: LDK-së nuk bën t’i jep ultimatum askush, me VV-në vendosim pas dështimit të PAN-it

Image

Agim Veliu

Për deklaratën e Behgjet Pacollit, ka komentuar nënkryetari i LDK-së Agim Veliu. Ky i fundit, ka thënë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se bisedat me Lëvizjen Vetëvendosje janë të kota, derisa koalicionit PAN t’i konsumohet e drejta e provës së parë për formimin e institucioneve.

“Ne jemi në pritje pasi ne nuk jemi një koalicion që mund të negociojmë me dikë kur tjetërkush e ka të drejtën e provës së parë. Derisa të mos konsumohet ajo e drejtë, bisedat tona janë veç të kota”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.

Veliu ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij, se LDK-së nuk mund t’i vendos askush ultimatum dhe se të tillat nuk kanë kuptim në politikë.

“Ne e kemi sqaruar deklaratën e Pacollit se LDK-së nuk bën t’i jep ultimatum askush, shko me këtë apo atë. Ultimatumet nuk kanë kuptim në politikë”, ka thënë Veliu për “Bota sot”.

Share Messenger

Më të lexuarat