Ndalohet shitja e numrave të ZMobile

Share Messenger

Përmes një njoftimi për media, ARKEP-i bën me dije se Bordi i këtij institucioni sot gjatë ditës ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes Dardafon.net (Z-Mobile), për të kërkuar sqarimet e nevojshme në lidhje me procesin e tranzicionit pas mos-vazhdimin e raportit komercial ndërmjet palëve.

Në njoftimin për media thuhet se Bordi i ARKEP-it është njoftuar nga këto ndërmarrje me veprimet e ndërmarra deri me tani, pas njoftimit për mos-vazhdimin e raportit komercial nga Telekomi i Kosovës.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi si dhe me qellim te zbatimit të plotë të Kornizës Rregullatore, ARKEP-i ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit: Palët e involvuara në këtë proces të mos-ndërmarrin veprime të njëanshme të cilat do të mund të dëmtonin konsumatorin, me të cilën kërkesë janë pajtuar të dy palët”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim bëhet me dije se ARKEP-i, i ka kërkuar operatorit Dardafon.net që gjatë kësaj faze të mos vendos në treg SiM kartela të reja, të mos krijojë pako/produkte të reja si dhe të mos hyjë në kontrata të reja me konsumatorët.

“Bordi i ARKEP do ta njoftojë opinionin me kohë për çdo hap që do të ndërmarrë në lidhje me këtë proces të cilin është duke e trajtuar me prioritet të lartë. Pas marrjes së informacioneve shtesë nga operatorët gjatë ditëve në vijim dhe analizimit të praktikave evropiane, ARKEP do të marrë vendime nëse janë të nevojshme në lidhje me këtë proces, sidomos me qëllim të ruajtës së vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Share Messenger

Më të lexuarat