Ministria e Mjedisit: Ne nuk lëshojmë leje ndërtimi, nuk do të ndodhë asgjë që cenon zonën e Liqenit të Badovcit

Share Messenger

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se nuk ka kompetenca të lëshojë leje ndërtimore si ato te Liqeni i Badovcit, teksa thekson se nuk do të ndodhë asgjë që cenon këtë zonë.

MMPH ka siguruar se në bazë të gjitha të dhënave që kanë, as investitori KAWA Group, 4M Group dhe as pronari i tokës, Rrahman Hajredini nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me pëlqim mjedisor nga MMPH-ja.

“Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013. Andaj çfarëdo zhvillimi i planifikuar në atë pjesë duhet të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe kriteret e parapara si dhe t’i nënshtrohet lejeve përkatëse dhe procedurave të parapara me ligj, vetëm pas këtyre procedurave mund të konstatohet se a mund të realizohen projektet e tilla ose jo. Lidhur me këto shqetësime, sot i kemi dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës.

Dëshiroj të ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdo qoftë”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se kjo është ngritur si çështje ku kanë nisur edhe disa peticione online, kundër ndërtimit të objekteve në afërsi të Liqenit që furnizon me ujë shumë banorë.

Share Messenger

Më të lexuarat