Mini-shengeni prish Edi Ramën me Kosovën

Share Messenger

Një nismë e presidentëve të rajonit në nivel samiti është mbytur pas disa takimesh pasi Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si pjesëmarrëse. Problemet për Kosovën në nismat rajonale janë dyfish më të mëdha dhe rrjedhimisht pa efekte dhe rezultate.

Megjithëse i sajuar për t’i dhënë shtysë proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, Samiti i përzier i Kryeministrave dhe Presidentëve, fillimisht të tri vendeve të rajonit, ka pak gjasa të nxisë mirëkuptim dhe shumë më pak shanse ta ngrisë nivelin e bashkëpunimit. Ideja për mini-shengen nuk është ide as e Vuçiqit e aq më pak e Ramës dhe në ditët e sotme vjen me pak vizion dhe synim për t’i avancuar marrëdhëniet me rajon.

Fillimisht, idenë e mini-shengenit e ka theksuar në vitin e parë të pavarësisë së Kosovës, në kuadër të Samitit të Presidentëve, atëbotë Presidenti Fatmir Sejdiu, kur i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ishte i izoluar dhe pa lëvizje të lirë të qytetarëve. E gjithë ideja mbi 9 vjet më parë ishte bojkotuar nga vetë Serbia, që sot e ka marrë bajrakun për mini-shengen.

Në kohën kur pesë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë prej vitesh lirinë e lëvizjes në BE dhe vendi i gjashtë, Kosova, ende s’e ka marrë liberalizimin e vizave dhe përballet me politikën më agresive të Serbisë, ideja për të nisur një proces të “lëvizjes së lirë” në Ballkan e rikthen gjendjen në këtë rajon në një periudhë të para instrumenteve në procesin e integrimeve evropiane.

Fillimisht, ideja e mbyll Kosovën në një rreth vicioz të pakapërcyeshëm dhe e mbyll lëvizjen e qytetarëve të saj në vetëm një zonë pa perspektivë dhe me “tendenca autokratike”.

Kosova është e vetmja në mesin e gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit që ende lufton për ta bindur BE-në se qytetarët e saj kanë të drejtë për lëvizje të lirë dhe se ata kanë përmbushur më shumë kushte sesa Serbia dhe Bosnja bashkë.

E dyta, vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë arritur marrëveshje individuale me njëra-tjetrën për lëvizjen e qytetarëve të tyre vetëm me letërnjoftime dhe kjo praktikë për vite është avancuar. E vetmja që vazhdon të ketë probleme, dhe atë më të theksuara me Bosnjën, pa e harruar Serbinë, është Kosova.

Nëse mini-shengeni nënkupton lëvizjen e qytetarëve të Serbisë për në Shqipëri ose anasjelltas, duke i shfrytëzuar rrugët e Kosovës, nuk do të ketë nevojë për shengen. Do të ketë nevojë për reciprocitet në pikat kufitare. Presidenti Vuçiq e ka të qartë këtë, por idenë për mini-shengen do ta shfrytëzojë për t’i hequr qafe Kosovën dhe problemin me të si pjesë të kapitullit të 35-të të negociatave me BE-në.

Edi Rama ndërkaq ka tjetër synim. Problemet e tij brenda vendit janë më të mëdha dhe më të thella se ato të “vozhdit të Beogradit”. I goditur rëndë nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të BE-së, që kanë hezituar ta japin pëlqimin për Shqipërinë në hapjen e negociatave dhe ende i pasigurt nëse kjo do të ndodhë në maj të vitit 2020, Edi Rama e ka rikthyer idenë e bashkëpunimit rajonal si temë qendrore, duke e ditur se kjo mund t’i jap shtysë BE-së për t’u zbutur.

Por kësaj radhe, Rama nuk i ka marrë parasysh edhe interesat e Kosovës, por vetëm ato personale.

Bindja në Tiranë e Prishtinë është se Rama mund të jetë i gatshëm ta “rikthejë” udhëtimin me pasaporta në vend të letërnjoftimeve për Kosovën, nëse lidershipi kosovar nuk heq dorë nga bllokada e mini-shengenit.

E treta, pikërisht fakti se menaxhimi i integruar i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar për shkak të refuzimit serb për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit e bën idenë e Vuçiqit dhe Ramës për mini-shengen më të paqëndrueshme dhe aspak “dinjitoze e me qëllime të vërteta”. Kosova problemin më të madh e ka pikërisht në pikat doganore të saj me Serbinë dhe një pjesë e territorit të saj është plotësisht e banuar me serbët e Kosovës dhe me ndikim të madh të Serbisë.

Shtrohet çështja: Cilat letërnjoftime për serbët e veriut do t’i njohë Shqipëria në doganat e saj ne rast se bëhet mini-shengeni? Marrë parasysh se këta qytetarë kanë refuzuar shumë herë t’i marrin dokumentet e Kosovës, pjesa më e madhe e veturave të të cilëve janë me regjistrime të Serbisë si refuzim të Kosovës, atëherë vështirë te besohet se ideja e bashkëpunimit në rajon e respekton identitetin e shtetit të Kosovës dhe integritetin e saj.

E katërta, nëse qeveria Haradinaj edhe mund të ketë rënë për shkak të taksës, pikërisht ideja e proklamuar e samiteve në Beograd dhe Ohër për lëvizjen e lirë te mallrave e bën shumë pak të besueshme sinqeritetin e saj. Mallrat e Kosovës pak kanë zënë vend në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë për shkak të bllokadave të krijuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Është shumë e palogjikshme të mendohet se dokumentacioni i Kosovës dhe analizat laboratorike e ato fito-sanitare dhe vulat e Kosovës do të njihen menjëherë, sapo të ketë marrë frymë ideja për mini-shengen.

Nëse CEFTA nuk ka arritur të ndërtojë frymë bashkëpunimi, pak besohet se kjo nismë do të ndihmojë.

Megjithëkëtë, samitet do të zhvillohen, aktorët rajonalë do të hidhërohen e gëzohen, do të mbajnë inate ose edhe do të përqafohen, por idetë që do ta mbysin frymën për cilindo shtet të rajonit nuk mund të jenë ide përbashkuese.

Nismat rajonale, ndërkaq, sikur kjo e Beogradit dhe Ohrit, zakonisht nisin me përjashtimin e ndonjërit prej vendeve të Ballkanit, zakonisht Kosovës, dhe janë pikërisht ato që kanë sjellë telashe më të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit.

Share Messenger

Më të lexuarat