Mesazhi i shefit të NATO-s rreth transformimit të FSK-së në Ushtri (Video)

30 Shares Share Messenger

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përmes një konference për shtyp ka thënë se u bën thirrje të dyjave palëve, Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin tensionet dhe deklaratat apo edhe aksionet provokative.

Këtë deklaratë, shefi i NATO-s e ka dhënë në pyetjen rreth vendosjes së tarifës 100% nga institucionet në Kosovë, për produktet serbe.

Ndërsa sa i përket paralajmërimeve të institucioneve në Kosovë rreth transformimit të FSK-së në Ushtri, Stoltenberg ka thënë se një vendim i tillë është “në një kohë të papërshtatshme”.

“Siç ua kam thënë liderëve në Prishtinë, publikisht dhe privatisht më parë, ky është një vendim në një kohë të papërshtatshme dhe NATO mbështet forcat e sigurisë në këtë mandat dhe ndryshimi i mandatit do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën”.

“Dhe çfarë kanë deklaruar ata është diçka që nuk do të ndodhë përmes një procesi inkluziv ku do të konsultoheshin me aleatët e NATO-s dhe vendet tjera dhe proces inkluziv brenda Kosovës”.

“Siç e kam thënë unë dhe siç e ka thënë NATO disa herë, nëse mandati për FSK të evoluojë, NATO do të rishikojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”.

Ndërsa rreth asaj se çfarë konsekuencash do të mund të kishte një veprim i tillë, Stoltenberg ka shtuar: “Kjo është një gjë që e kemi bërë të qartë disa herë dhe sigurisht qëndrojmë në këtë pozicion. Më saktë se çfarë konsekuenca, kjo do të duhej të diskutohej brenda Këshillit të Aleancës Veriatlantike”.

Ndryshe Kryesia e Kuvendit ka caktuar 14 dhjetorin, seancën në të cilën pritet që të votohen projektligjet për FSK-në.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me ç’rast tha se kjo do të jetë edhe dita e shndërrimit të FSK-së në ushtri.

Ai tha se prej UÇK-së, Kosova ka pasur ushtri, por tash po i jepet një vulë institucionale.

“Më datën 14 dhjetor, urime të gjithëve, do ta kemi transferimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Besoj se do ta jetë një nga projektligjet që do të aprovohet me shumicën absolute të votave. Urime edhe njëherë të gjithëve. Pastaj do të kemi shqyrtimin e parë të projektligjit për buxhetit, dhe pastaj ditën e nesërme nga ora 17 do të kemi vazhdimin e seancave të papërfunduara në pikat e rendit të ditës, të cilat janë vetëm në votime“, ka thënë kryetari i Kuvendit.

Deklaratën e shefit të NATO-s për transformimin e FSK-së në Ushtri mund ta ndiqni që nga minuta 21:10

Share Messenger