Mediumi çek: Bill Clinton ka statujë në Prishtinë, edhe Challandes mund ta fitojë një sot

Share Messenger

Mediumi i madh sportiv çek, Sport.cz, ka sugjeruar se një statujë në Prishtinë duhet t’i ndërtohet edhe trajnerit zviceran Bernard Challandes, në rast se Kosova e arrin kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020.

Çekia e pret sonte Kombëtaren e Kosovës në stadiumin Doosan Arena, në Pilsen, në orën 20:45 për ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit A kualifikues për EURO 2020.

Me fitore në këtë përballje, Çekia e siguron një vend në Kampionatin Evropian 2020, ndërsa Kosovës i bëhet e pamundur ta arrijë Evropianin përmes Grupit A.

Edhe nëse Kosova s’arrin ta sigurojë kualifikimin në EURO, mediumi çek Sport.cz e cilëson rrugëtimin e Kosovës si një sukses. Por, sipas tyre, nëse Kosova e arrin synimin, një statujë në Prishtinë do të duhej t’i ndërtohej trajnerit zviceran Challandes.

“Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, tashmë e ka një statujë në Prishtinë. Shqiptarët nga Kosovës e kanë shprehur në këtë mënyrë mirënjohjen e tyre për mbështetjen e Clintonit në pavarësimin e tyre”, shkruan sport.cz.

“Bernard Challandes, një trajner zviceran në shërbim të ekipit kombëtar të Kosovës, mund ta përjetojë ndjenjën e të pasurit një statujë në kryeqytetin kosovar. Megjithatë, ai e ka një kusht para vetes – duhet ta mposhtë sonte Çekinë dhe ta marrë rezultatin e nevojshëm kundër Anglisë për ta arritur EURO 2020 me skuadrën e tij”.

“Kualifikimi në EURO 2020 do ta bënte Kosovën të pavdekshme. Për një republikë të vogël në Ballkan, kualifikimi në këtë garë do të ishte një ngjarje e mrekullueshme. Ndoshta edhe dita do të bëhej festë zyrtare. Për këtë arsye, e gjithë Kosova është duke i pritur dy duelet e fundit”.

Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

Kosova mund të ëndërrojë për EURO 2020 edhe nëse pëson disfatë sonte në Çeki, pasi që e ka një vend të siguruar në play-offs për kualifikim në Evropian.

Play-offs do të zhvillohen përmes gjysmëfinaleve dhe një finale. Kosova do të përballet në gjysmëfinale me Maqedoninë e Veriut, që luan si vendase. Nëse fiton, në finale e pret Gjeorgjia ose Bjellorusia.

Share Messenger

Më të lexuarat