Mbappe shpërthen pas humbjes turpëruese të PSG-së

Share Messenger

Kylian Mbappe e ka kritikuar ashpër paraqitjen e Paris Saint-Germainit në humbjen turpëruese 5:1 nga Lille të dielën, duke thënë se kampioni në fuqi luajti sikur të ishte ekip fillestar.

PSG-ja e vizitoi Lille – skuadrën që renditet në vendin e dytë – duke e ditur se një barazim do t’i mjaftonte për ta siguruar titullin e dytë në dy sezonet e fundit.

Lëndimet e hershme të Thiago Silva dhe Thomas Meunier dhe kartoni i kuq i Juan Bernat para përfundimit të pjesës së parë ishin fillimi i një nate të turpshme për PSG-në.

Derisa rezultati ishte 1:1 pas pjesës së parë, PSG-ja u dorëzua në pjesën e dytë, pasi Nicolas Pepe, Jonathan Bamba, Gabriel dhe Jose Fonte shënuan duke e turpëruar klubin parisien.

Mbappe, i cili asistoi në golin e vetëm të PSG-së në këtë ndeshje, ishte i ashpër në vlerësimin e ndeshjes, duke theksuar se edhe pse klubi do ta fitojë titullin në Ligë 1 këtë sezon herët apo vonë, nuk duhet të lejojë të turpërohet kështu.

“Do të shpallemi kampion herët a vonë, por kur humb duhet të humbësh në një mënyrë të caktuar. Nuk duhet të humbasësh personaliteti kështu, duke pranuar tri, katër, pesë gola. Kjo nuk është normale”, tha Mbappe.

“Futbolli luhet në fushë. Sot, ne luajtëm si fillestarë”, shtoi ai.

Share Messenger

Më të lexuarat