Man Unitedi e shpërblen Pogbën me 4.3 milionë euro për besnikëri

Share Messenger

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, do ta marrë së shpejti një bonus besnikërie prej katër milionë e 267 mijë eurosh, përkundër që vetëm para disa dite francezi e kishte pranuar se dëshiron ta vazhdojë karrierën diku tjetër.

Sipas mediave angleze, mesfushori francez do të shpërblehet me më shumë se katër milionë euro më 1 korrik, pasi që në kontratën e tij është një klauzolë ku specifikohet se Pogba do të marrë bonus për besnikëri pas çdo sezoni të mbyllur me “Djajtë e kuq”.

Kjo shumë është ngritur në krahasim me vitin e kaluar, kur Pogba u shpërblye me tre milionë e 930 mijë euro për besnikëri, përkundër që gjatë gjithë verës kishte nxitur spekulimet se mund të transferohet në Barcelonë.

Këtë herë, Real Madridi dhe Juventusi kanë shprehur interesim për mesfushorin 26-vjeçar, mirëpo “Djajtë e kuq” dëshirojnë ta mbajnë lojtarin e tyre në Old Trafford edhe më tutje, pasi që i paguan 89 milionë funte për të në vitin 2016, kur e kthyen në Mançester nga Juventusi.

Ofertave të Juventusit e Real Madridit, Manchester Unitedi i është përgjigjur duke ia ofruar Pogbën një pagë prej 500 mijë funtesh në javë, një rritje prej 325 mijë eurosh javësh që i fiton me kontratën aktuale.

Kontrata e Pogbas në “Old Trafford” është e vlefshme edhe për dy vjet të tjera, ndërsa Manchester Unitedi e ka opsionin për t’ia zgjatur kontratën edhe për një vit tjetër.

Në anën tjetër, Juventusi tani e ka bërë gati një ofertë të re për mesfushorin 26-vjeçar, i cili u largua nga ta për t’iu bashkuar Manchester Unitedit në vitin 2016. “Bardhezinjtë” besohet se janë të gatshëm të paguajnë deri në 140 milionë euro për Pogban.

Megjithatë, ata e pranojnë se Real Madridi do të jetë favorit për t’i siguruar shërbimet e Pogbas për sezonin e ardhshëm, pasi që futbollisti konsiderohet prioriteti i Zinedine Zidanit për këtë verë.

Gazeta ABC në Spanjë pretendon se Real Madridi është i gatshëm t’i ofrojë Manchester Unitedit 125 milionë euro për Pogban dhe t’i ofrojë futbollistit pagë të ngjashme me Eden Hazardit, vetëm pak më pak sesa kapiteni Sergio Ramos.

Ndërkohë, Manchester Unitedi vazhdon të insistojë se Pogba nuk është për shitje, pasi që trajneri Ole Gunnar Solskjaer e konsideron atë lojtarin më të rëndësishëm në skuadrën e tij.

Kjo bën që “Djajtë e kuq” të jetë në një pozitë të mirë gjatë negociatave dhe drejtuesit e klubit anglez pritet të pranojnë ofertë për francezin vetëm në rast se Juventusi apo Real Madridi e ngritin ofertën e tyre edhe më shumë sesa 130 milionë euro.

Share Messenger

Më të lexuarat