LVV: Albin Kurti do të jetë kryeministër i Kosovës

Share Messenger

Ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme shumica e partive politike i kanë bërë të ditur emrat e zyrtarëve me të cilët e synojnë postin e kryeministrit të vendit. Ani pse përfaqësuesit e partive nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit me koalicione, ata kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga posti i shefit të Qeverisë së ardhshme, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse shpërndarja e Kuvendit të Kosovës është paraparë të mbahet më 22 gusht, partitë politike tashmë kanë filluar llogaritjet e tyre në rast se dalin fituese nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Teksa shumica e partive kanë bërë të ditur se mund të shkojnë në koalicione parazgjedhore, ato kanë thënë se assesi nuk pranojnë të bëjnë kompromis me postin e kryeministrit të vendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, për “Zërin” ka thënë që partia e saj është e bindur që kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë Albin Kurti. Kjo sepse sipas saj Kosova ka nevojë për ndryshim substancial dhe Kurti është kandidati i duhur për këtë pozitë.

“Ajo që ne kemi një kandidat potencial për kryeministër nuk është thjesht pa ndonjë arsye, ky është një parim, ne jemi nisur jo vetëm nga vlerat e z. Albin Kurtit dhe nevojës për ndryshim, ama ndryshim vërtet substancial në Kosovë, për një qeverisje të re me duar të pastra dhe pa ndonjë bagazh të keq. Në karrierën e z. Kurtit asnjëherë nuk ka pasur afera korruptive, kurrë nuk ka qenë i përfshirë në krim të organizuar ose në diçka të ngjashme dhe është një njeri që ka një të kaluar shumë të pastër, është një intelektual i vërtetë”, ka thënë Kollqaku.

Pavarësisht nëse Lëvizja Vetëvendosje mund të garojë e vetme në zgjedhje ose nëse do të arrijë ndonjë koalicion me LDK-në, Kollqaku është shprehur e bindur se lideri i kësaj partie Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

“Ne nuk jemi ata që bëjmë pazare, ne mund ta gjejmë ndonjë formulë e cila do ta qesë kryeministrin e ardhshëm, një person që vërtet e meriton dhe ndoshta që e prodhojnë edhe vetë zgjedhjet. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve do ta nxjerrë kryeministrin dhe nuk dyshoj se nuk do të jetë lideri më i votuar Albin Kurti, ashtu siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar ajo.

Share Messenger

Më të lexuarat