Lutfi Haziri me porosi të qartë për Haradinajn rreth ministrit serb Nenad Rikalo!

Share Messenger

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri ka kërkuar që çështja e ministrit serb Nenad Rikallo, i cili po akuzohet për tortura ndaj kosovarëve në periudhën e luftës, të trajtohet shumë seriozisht.

Ai thotë se këtij rasti i duhet dhënë një përgjigje urgjente. Madje, Haziri ia kujton Haradinajt rastin e ish-ministrit serb Aleksander Jabllanoviq, kur ky i fundit u shkarkua nga Isa Mustafa, vetëm se ofendoi nënat kosovare.

Rrëfimet e disa qytetarëve të Prishtinës në lagjen Dardania, se ministri i sapo zgjedhur serb Nenad Rikallo i kishte keqtrajtuar ata dhe disa studentë gjatë kohës së luftës, ka ngritur shqetësime të mëdha në vend. E, për këtë situatë, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ftuar në Interpelancë kryeministrin Ramush Haradinaj.

Zyrtari i LDK’së Lutfi Haziri e ka krahasuar rastin e ministrit serb të Bujqësisë me atë të ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq. Haziri thotë se rasti i Nenad Rikalos është shumë serioze, pasi kësaj radhe kemi të bëjmë me dyshime për krime gjatë luftës.

Nënkryetari i partisë së Isa Mustafës tha të premten për Express se kjo po i përngjan fillimit të qeverisjes së Mustafës me rastin e Jabllanoviqin.

“Po i përngjan pak fillimit të qeverisjes se Mustafës me rastin e Jabllanoviq, pak a shumë po gjendet një arsye me pa sa lehtë dhe sa paverifikueshëm hyjnë njerëzit në qeveri nga minoritetet. Do të dëshiroja që zoti Haradinaj në përputhje me dispozitat ligjore mos me toleru dhe mos mu bo vonë në zgjidhjen e rastit”, është shprehur Haziri, derisa i ka komentuar deklaratat e djeshme të kryeministrit Haradinaj, i cili brenda 24 orëve e paraqiti ministrin serb të pastër para ligjit.

“Kryeministri ka resurse informative më shumë se të gjithë të tjerët por unë besoj shumë që shqetësimi qytetar, sidomos i prishtinasve që e njohin, duhet të konsiderohet para se gjithash dhe shumë seriozisht, sepse mund te ndodhë me vonë që të shkarkohet, por bohet vonë”, ka theksuar ai.

LDK sot në një mbledhje në Kuvendin e Kosovës e ka ftuar në interpelancë kryeministrin Ramush Haradinaj për shkak të ministrit Rikallo. Avdullah Hoti i këtij subjekti, në emër të koalicionit LA, e ka kërkuar shkarkimin e ministrit të përfolur, ndryshe, siç ka thënë ai, Haradinaj do të përballet me të gjitha llojet e kundërshtive.

Por, Haziri tha se beson që kryeministri do të dalë në Interpelancë pasi, sipas tij, këtë e ka obligim institucional.

“Unë besoj që gatishmëria nuk guxon me mungu në asnjë rast, komunikimi me ne si opozitë është rruga e vetme për me rujt dialogimin e brendshëm se paku institucional. Në rastin e Jabllanoviqit, ka qenë një deklaratë ofenduese se nuk ka pas dyshime për krime lufte, ka qenë një ofendim publik dhe deklaratë e pamatur në raport me qytetarët e Gjakovës që Kosova u solidarizua më vonë, e në këtë rast kemi dyshime serioze, pretendimet janë serioze, pasi sot kemi të bëjmë me krime lufte kështu që duhet të trajtohet shumë seriozisht dhe duhet të gjendet një rrugë për t’i dhënë një përgjigje urgjente”, deklaroi Haziri.

Për rastin e ministrit serb Nenad Rikalo, Haradinaj në një deklaratë lëshuar për media ka thënë se në bazë të përgjigjeve që ka marrë nga mekanizmat e shtetit, rezulton se Rikalo nuk ka qenë i përfshirë në veprime të tilla.

Por, me deklaratë të kundër doli dje Prokuroria e Shtetit, e cila nsqaroi se hetimet për ministrin serb tashmë kanë filluar.

Share Messenger

Më të lexuarat