“Lufthansa”, hap një linjë ajrore Prishtinë-Beograd

Share Messenger

Aviokompania “Lufthansa”, ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt.

Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë “Lufthansa” i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet e tjera.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

“Me këtë vihet kontakti midis dy autoriteteve të aviacionit civil, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha.

“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, shtoi ai.

Berisha u shpreh mirënjohës për ambasadorin Grenell, për Administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.

Prezent në konferencën e shtypit në Berlin, ku u njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.

Share Messenger

Më të lexuarat