Kurti: Shteti i Kosovës po mirret peng, jo vetëm Kadrija, por dyfish Serbia

Albin Kurti i Vetëvendosjes ka komentuar zgjedhjen e Kadri Veselit si kryeparlamentar të Kosovës, duke thënë se 62 vota për Veselin teknikisht janë shumicë, por realisht nuk janë për arsye se s’janë shumica e votave shqiptare, raporton Gazeta Blic.
“Që prej konstituimit të Kuvendit tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ja postimi i plotë i Albin Kurtit:
Ato 62 vota të cilat votuan dje kryeparlamentarin e nesër duan ta votojnë kryeministrin, janë shumicë në Kuvend. Mirëpo, veçse teknikisht janë shumicë. Në anën tjetër, tek 58 deputetët e tjerë, ka shumë më tepër vota qytetarësh të Kosovës dhe ato janë shumica shqiptare.
Që prej konstituimit të Kuvendit tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë. Kosova nuk është vetëm shtet i kapur. Shteti i Kosovës po mirret peng. Pra, jo vetëm Kadrija, por dyfish Serbia. Me strukturat paralele si mbetje e okupimit në çerekun e territorit të vendit tonë. Me partinë e saj si aksionare vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë.
Nuk është hera e parë që shqiptarëve u duhet të përballen me krajl e me mbret.