Kurti mesazh Thaçit: Shko në Hagë, mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten

242 Shares Share Messenger

Në prag të intervistave të para të Gjykatës Speciale për ushtarët dhe komandantët e UÇK-së, Albin Kurti ka sulmuar presidentin e vendit Hashim Thaçit. Kësaj radhe pjesë e sulmit nuk ka qenë vetëm Thaçi, por edhe gazetarët që e kritikojnë atë.

Albin Kurti, lideri i partisë që vitin e kaluar kishte vendosur ta bojkotoj televizionin Klan Kosova, sot është sulur ndaj drejtorit të këtij televizioni, Baton Haxhiut.

Kurti ka gjetur mënyrën për ta sulmuar drejtorin e këtij televizioni kur ka kritikuar presidentin Thaçi, për siç ka thënë ai mëkatet e tij për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, ka shkruar Kurti në postimin e tij para pak minutave.

Ai ka përmendur dy herë gazetarin, Haxhiun. Njërën herë kur i ka kërkuar të mos i lejojë Lushtakun, Mustafën, Selimin dhe të tjerët që të shkojnë në Gjykatë Speciale, por të shkojë Thaçi. Ka përmendur Haxhiun duke i thënë se Thaçi nuk duhet të mbetet president në Prishtinë me gazetarin Baton Haxhiun.

Rasti tjetër kur Kurti ka përmendur Haxhiun ka qenë kur ka tentuar t’ia ‘zbukuroj’ burgun e Hagës. Ka thënë se burgu i Hagës nuk është i tmerrshëm dhe për gjëra interesante mund t’ia tregojnë, Haxhiu, Haradinaj dhe të tjerët.

“Burgu nuk është tragjedi dhe fatal. Sidomos ky i Hagës. Besoj që Ramushi, Fatmiri e Batoni të kanë treguar: aty ka televizor, ushqim të mirë tre herë në ditë, salla për rekreacion dhe libra të panumërt në bibliotekë të pasur. Nuk të ndodh asgjë e keqe atje, përveç faktit që do të kesh kohë të përballesh me ndërgjegjen tënde, të cilën kushedi sa vite ka që nuk e takon më. Shko Hashim”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë që në vitin e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje kishte vendosur që t’i bojkotoj studiot e Klan Kosovës. Vendimi kishte ardhur kur Thaçi kishte dekoruar Baton Haxhiun me medalje presidenciale.

“Tani që raporti PDK-Baton Haxhiu u kurorëzua me medalje presidenciale, për Lëvizjen është e qartë që ky raport duhet të neutralizohet duke e defaktorizuar shërbyesin. Këtë do ta bëjmë duke refuzuar çdo bashkëpunim me çdo emision që moderohet nga Haxhiu”, thuhej në njoftim e kësaj partie

Share Messenger

Më të lexuarat