Kryeministri Haradinaj: Produktet e kompanisë “Vipa”, sot janë të besueshme në Kosovë

Share Messenger

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot kompaninë “Vipa” në Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, e cila merret me prodhimin, kultivimin, përpunimin, si dhe shitjen e distribuimin e patates dhe të produkteve të saj. Gjatë vizitës, kryeministri Haradinaj vizitoi fabrikën e prodhimit të “Vipa Chips”.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se kompania “Vipa” është kompani specifike, për shkak se në nisjen e vet ka filluar edhe kultivimin e patates, duke ndikuar në bujqësi, tek fermerët, në punimin e tokës dhe se kjo kompani ka fituar besimin në tregun e jashtëm, duke u eksportuar në tregje të avancuara si në Gjermani, Suedi e vende të tjera.

Duke shprehur falënderimin për angazhimin e kompanisë “Vipa”, e cila ka të punësuar mbi 212 punëtorë të rregullt dhe në sezon ka edhe 35 të tjerë, kryeministri Haradinaj tha dhe ajo çka është me rëndësi është se produktet e saj, sot janë të besueshme në Kosovë.

“Tregu i Kosovës i beson, i blen dhe, edhe unë pata rastin t’i shijoj, edhe pse nuk është hera parë, por desha të shoh si është kur ta marrësh këtu në vend”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se familjet tona i kanë këto produkte, me të cilat mund të krenohen.

Kryeministri Haradinaj, u informua po ashtu se pas vendosjes së taksës, është rritur përqindja e shitjes, është rritur edhe numri i të punësuarve. “Nuk është meritë e imja politika fiskale, është bërë në qeveritë e mëhershme, por meritë e kësaj qeverie, është zbatimi. Në lëndë të parë nuk ka më taksë. TVSH-ja nuk paguhet në kufij, por pas shitjes së produktit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se shqetësimi që preokupon këtë kompani, është çështja e kyçjes në energji, rregullativa jo e lehtë për sipërmarrësit, por premtoi se do të angazhohet që të mos kenë një kosto të lartë të energjisë.

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë “Vipa” në Pestovë, tha se ka njoftuar kryeministrin Haradinaj me të arriturat, sfidat, por edhe me atë se çfarë presin nga Qeveria në të ardhmen.

“Është një vizitë e qëlluar, në vendin, i cili e ka pasur gjithmonë mbështetjen e Qeverisë, dhe se tani janë krijuar kushte jashtëzakonisht të mira, nëse jo më të mirët, të barabartë në rajon”, tha z.Kosumi, duke shtuar se taksa e vendosur për produktet serbe është vendim i qëlluar për prodhimin vendor, duke u shprehur gjithashtu se është që taksa të mbetet edhe më tutje, derisa të jenë të barabartë në treg.

Vizita e Kryeministrit Haradinaj në fabrikën “Vipa” po zhvillohet në vazhdën e vizitave që po bëhen për ta mbështetur dhe fuqizuar sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, në kuadër të vitit ekonomik që është shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Share Messenger

Më të lexuarat