Kryediplomati i ri i BE’së : Kosova s’do të jetë shtet pa e njohur Kina, Rusia e India!

Share Messenger

Komisioneri i ri për Politiken e Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell e konsideron afrimin e Ballkanit Perëndimor me Unionin si sfidën për të rëndësishme, që tregon se sa peshë ka Bashkimi Europian në gjeopolitikën botërore. Ai shpalosi vizionin e tij në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ku e bëri të qartë se Ballkani dhe partneriteti në Lindje mbeten një nga prioritetet e mëdha të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian.

“Më lejoni që të nënvizoj që në fillim qëllimin që të angazhohemi në procesin e reformave dhe të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ballkani dhe kufiri ynë në Lindje janë prioritetet e vërteta të politikës sonë të jashtme. Ne nuk mund të themi që kemi peshë gjeopolitike, nëse s’jemi në gjendje të zgjidhim problemet që kanë fqinjët tanë më të afërt”.

Borrell surprizoi anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së se udhëtimin e tij të parë si Komisioner për Zgjerimin do ta bëjë në Kosovë, pavarësia e të cilës nuk është njohur nga vendi i tij, Spanja.

“Vizita ime e parë do jetë në Kosovë. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi për sa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë, Kosova nuk do jetë shtet. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj ç’është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Kjo është një nga çështjet që do merren shumë në konsideratë, pasi Status Quo-ja aktuale nuk shërben. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe jam i lumtur që Kosova zhvilloi zgjedhje krejtësisht demokratike.”

Dëgjesa në Parlamentin Europian për të caktuarin në postin e përfaqësuesit të ri për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell ka vazhduar rreth tre orë. Procedura e dëgjesës konsiderohet ndryshe si test i Parlamentit Europian për të gjithë komisionerët dhe zëvendëspresidentët e ekipit të ri të Komisionit Europian. Komisioni i ri Von der Leyen pritet të marrë detyrën në 1 Nëntor.

Share Messenger

Më të lexuarat