Kosova edhe në krizë ekonomike, investimet e huaja direkte shënojnë rënie të madhe

Share Messenger

Investimet e Huaja Direkte në Kosovë (IHD) kanë pësuar rënie të madhe këtë vit.

Në pesë mujorin e parë të këtij viti IHD-të kanë pësuar rënie prej hiç më pak se për 34 për qind.

Përderisa vitin e kaluar në periudhën e njëjtë investimet e huaja kanë arritur vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, këtë vit këto investime kanë arritur prej vetëm 76 milionë eurosh, shkruan ORAinfo.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në kuadër të strukturës së IHD-ve, me rënie u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione si dhe investimet në instrumente të borxhit.

“Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 94.8 milionë euro dhe shënoi rënie prej 3.8 për qind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerë negative prej 18.8 milionë euro (16.5 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2017)”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike” të BQK-së.

Rënia më lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e ndërtimtarisë dhe të shërbimeve financiare nga 34.1 në 12.4 milionë euro, përderisa në patundshmëri dhe në sektorin e tregtisë u shënua rritje e IHD-ve prej 2.2 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq, sa i përket origjinës së investimeve të huaja në Kosovë, Gjermania zë vendin e parë me 30.1 milionë euro, pasuar nga Zvicra me 26.4 milionë euro dhe Austria me 13.8 milionë.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se rënia e investimeve ekonomike ka ndodhur për shkak të mos stabilitetit politik në vend dhe për shkak të ngecjeve në realizimin e projekteve të mëdha.

Share Messenger