Kjo është vajza e biznesmenit turk që vdiq me shoqet e saj nga rrëzimi i aeroplanit

17 Shares Share Messenger

Një avion privat turk, me të cilin po udhëtonin një grup femrash të reja, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, drejt Stambollit, është rrëzuar të dielën, në mot me shi të dendur, në një rajon malor të Iranit, duke i marrë jetën të gjithë 11 personave në bord, kanë bërë të ditur autoritetet.

Ditë më parë, avioni fatkeq kishte transportuar një grup femrash për një festë beqarie në Dubai, ndërkaq nuk është bërë e qartë se kush ndodhej në avion kur ai është rrëzuar, raporton The Associated Press.

Televizioni shtetëror iranian ka cituar një zëdhënës të organizatës për menaxhimin e emergjencave në vend të ketë thënë se avioni ka goditur një mal, afër Shahr-e Kordit, dhe ka shpërthyer në flakë. Shahr-e Kord ndodhet rreth 370 kilometra në jug të kryeqytetit të Iranit, Teheran, përcjell Gazeta Express.

Zëdhënësi, Mojtaba Khaledi, më pas i ka thënë një portali të televizionit shtetëror se fshatarët lokalë kanë mbërritur në vendin e aksidentit, në Malet Zagros, dhe kanë gjetur vetëm trupa të djegur shumë, dhe asnjë të mbijetuar. Ai ka thënë se testet e ADN’së do të nevojiten për të identifikuar të vdekurit.

Fshatarët kanë thënë se kanë parë flakë duke dalë nga motori i avionit para rrëzimit të tij, sipas një raporti nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve nga fusha e drejtësisë, Mizan.

LEXO EDHE: 11 të vdekur nga rrëzimi i një aeroplani turk në Iran

Avioni është nisur në pasditen e së dielës, dhe ka fluturuar në lartësi prej mbi 10 kilometrash. Pas më pak se një ore, lartësia e fluturimit të tij është rritur shpejt, dhe më pas ka shënuar rënie drastike brenda pak minutash, sipas FlightRadar24, një ueb-sajt që gjurmon fluturimet.

Fluturakja fatkeqe është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar në Sharjah, sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një kompani private, e cila menaxhon marrëdhëniet me publikun për aeroportin, nga ku vepron kompania ajrore e fluturimeve të lira, Air Arabia, nuk ka pranuar të komentojë. Sharjah është emirati fqinj i Dubait.

Agjencia private turke e lajmeve, Dogan, ka identifikuar avionin si Bombardier CL605, me shifrën TC-TRB në bisht. Ministria e Transportit e Turqisë ka thënë se avioni i përkiste një kompanie, të quajtur Basaran Holding, me të cilën agjencia Associated Press nuk ka arritur të komunikojë.

Basaran Investment Holding vepron në shumë fusha, përfshirë atë të ushqimit, financave, energjisë, ndërtimit, turizmit dhe udhëtimeve, sipas ueb-sajtit të kompanisë.

Mina Basaran, vajza 28-vjeçare e shefit të Basaranit, e cila është pjesë e bordit të menaxherëve të kompanisë, dhe konsiderohet udhëheqëse e ardhshme e biznesit, së fundi ka publikuar fotografi në Instagram, nga festa e saj e beqarisë, në Dubai.

Në mesin e fotografive, është edhe një foto nga brendësia e avionit, e publikuar tri ditë më parë. Në të, Basaran shihet e ulur në karrige, me një buqetë lulesh në duar, dhe shumë balona në formë të zemrës. Në një foto tjetër, ajo shihet në pistë, pranë avionit, e veshur me një xhaketë, ku shkruan “Mrs. Bride” (shqip: Znj. Nuse).

Një ditë më parë, Basaran ka publikuar një fotografi, ku shihet në shoqërinë e shtatë shoqeve, në një vendpushim në Dubai. Videot e fundit, të publikuara në llogarinë e saj, shfaqin atë duke shijuar një koncert të këngëtares kosovare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, në një klub të famshëm të natës, në Dubai.

Zyrtarët iranianë të menaxhimit të emergjencave kanë thënë se të gjitha pasagjeret kanë qenë femra të reja, sipas televizionit shtetëror iranian, IRNA.

Aksidenti i së dielës ka ndodhur më pak se një muaj pasi një avion iranian, ATR072, me dy motorë turbo, i përdorur për fluturime rajonale, është rrëzuar në jug të Iranit, duke i marrë jetën të gjithë 65 personave në bordin e tij.

Share Messenger