Kardiologu shqiptar tregon se pse vdesin më shumë pacientë me sëmundje të zemrës në Kosovë, sesa në Zvicër

Share Messenger

Kardiologu i njohur shqiptar në Zvicër dr. Florim Cuculi, ka folur për sëmundjet e zemrës në një paraqitje në televizionin publik të Kosovës.

Cuculi ka thënë se për sëmundjet e zemrës duhet të flitet më shumë, sepse ka shumë persona të afektuar nga sëmundjet koronare dhe infarkti i zemrës në rajon. Ai thotë se për trajtimin e këtyre sëmundjeve duhet të evitohen pasojat, sepse nëse shkaktohet infarkti, atëherë vdekshmëria është e konsiderueshme edhe në vendet me kushtet më të mira.

“Zvicra është një vend i pasur dhe trajtimi i sëmundjeve të zemrës bëhet në kushte moderne. Në trajtimin e infarktit është shumë e rëndësishme koha dhe në Kosovë e Maqedoni, mund ta merrni me mend një person që pëson infarkt p.sh. në Rugovë apo në Gjakovë, derisa të mbërrin në Prishtinë, në sallë dhe t’i hapet arteria humbet shumë kohë dhe në trajtimin më optimal ata pacientë pësojnë dhe. Prandaj ka vdekshmëri të madhe. Kurse në Zvicër ka shumë qendra që janë të shpërndara në gjithë vendin dhe nuk humbet shumë kohë me pacientin”, ka treguar Cuculi.

Ndërkaq, ai ka përmendur duhanin si shkaktarin kryesor të sëmundjeve të zemrës, duke bërë thirrje për Qeverinë e re e cila pritet të formohet në Kosovë, që të marrë masa në zbatimin e Ligjit kundër duhanit në vendet publike.

Kujtojmë se në Prishtinë ka filluar projekti pilot për trajtimin e infarktit të miokardit në 120 minuta, por ky projekt nuk është shpërndarë ende në qytete të tjera.

Ndiqeni intervistën e plotë të kardiologut Florim Cuculi në linkun më poshtë.

Share Messenger

Më të lexuarat