Izolimi i Kosovës u tentua nga këta deputetë

8 Shares Share Messenger

Kosova nuk ishte asnjëherë më afër izolimit të plotë ndërkombëtar dhe prishjes së raporteve me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-në dhe me BE-në, se të premten e kaluar, kur dyzetetre deputetë të Parlamentit të Kosovës me nënshkrimet e tyre kërkonin seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Por, një iniciativë e tillë dështoi në dy tentativat e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit, pasi që në mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e dy partive opozitare, të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të LDK-së.

Diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë ishin të parët që dolën haptas kundër kësaj iniciative, duke thënë se me një veprim të tillë shteti i Kosovës po rrezikon të ardhmen për shkak të interesave personale të liderëve të saj.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, deklaroi se në rast se një propozim i tillë kalon në Kuvend do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës.

Madje, sipas tij, kjo do të konsiderohet nga SHBA-ja si “thikë pas shpinës”. “Ideja për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka thënë Delawie.

Edhe më i prerë në lidhje me iniciativën e ligjvënësve kosovarë ishte ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, duke thënë se kjo mund të jetë nata më e rrezikshme e Kosovës që nga paslufta.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka thënë se asnjë politikan kosovar nuk ka të drejtë ta marrë një vendim që do ta vendoste në rrezik të ardhmen e Kosovës.

Përndryshe, ndonëse kishte nënshkruar për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, të premten pasdite ka tërhequr nënshkrimin për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale me arsyetimin se nuk ka qenë informuar korrekt nga iniciuesi i mbledhjes së nënshkrimeve se për çka është fjala.

Share Messenger

Më të lexuarat