Ideja për shkëmbim territoresh nxit konflikte

13 Shares Share Messenger

Ish-presidenti Bujar Nishani në një intervistë dhënë Report Tv, flet për zhvillimet më të fundit që lidhen me Kosovën, vendimin e NATO-s për ta kthyer në një bazë të sajën ish-aeroportin ushtarak të Kuçovës, procesin e Vettingut si dhe për zhvillimet më të fundit në gjirin e opozitës dhe se si është duke qeverisur Edi Rama.

“Pra, në këtë kontekst, mund të themi fare qartë që, çdo tendencë apo tentativë për të krijuar një model të rivendikimit të territoreve, të kufijve të njohur ndërkombëtarisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, midis Kosovës dhe Serbisë, padyshim që rikthehet në një problem përplasjesh rajonale. Dhe jo më kot, kemi parë së fundi, që edhe politika e disa prej vendeve të tjera të rajonit tonë, në Ballkan, siç është në Maqedoni p.sh., ka reaguar menjëherë kundër këtyre tendencave, kundër këtyre projekteve apo kundër këtyre synimeve”, është shprehur Nishani.

Zoti Nishani, do të doja ta nisnim këtë intervistë me zhvillimet më të fundit në Kosovë. A ju duket i drejtë propozimi i Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe njohje reciproke?

Së pari, do të thosha që nuk kemi asnjë informacion të qartë, natyrisht nuk po flasim për detaje, por për thelbin çfarë kihet parasysh me korrigjim të kufijve, çfarë ka në ide Presidenti i Kosovës apo edhe interlokutorët e tjerë të Presidentit të Kosovës në dialogun me Serbinë, se dukshëm kjo është një çështje që i referohet dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Pra, nuk ka asgjë të qartë në këtë çështje. Por, përderisa nuk ka asgjë të qartë dhe një shpjegim pak më të detajuar, të gjithë këtë e kuptojmë si një shkëmbim territoresh, pasi nëse do të ketë korrigjim kufijsh, do të ketë një korrigjim të dyanshëm. Nuk mund të ketë korrigjim të njëanshëm të kufirit. Korrigjimi i dyanshëm i kufirit, në kuptimin tim dhe të logjikës politike, institucionale, ligjore e njerëzore, do të thotë që do të ketë një shkëmbim territoresh. Ky është një propozim i kahershëm serb, prej kohësh që qeveria serbe që pas humbjes së luftës si një nga aktorët kryesorë të luftërave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Serbia ka dalë me teorinë e rimarrjes së disa territoreve në kontekstin e një formule shkëmbimi territoresh. Unë e kam gjykuar dhe vazhdoj ta gjykoj si një provokim të rëndë, në tërësi për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është si të ngulësh një gozhdë të përhershme të destabilitetit, pasi kufijtë e definuar pas shpërbërjes jo konsesuale të ish-Jugosllavisë, kemi një realitet të ri, një realitet i cili është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, kemi disa shtete të reja, nuk kemi vetëm Kosovën, kemi që nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia e Maqedonia dhe të fusësh të gjithë rajonin në një psikozë, në radhë të parë, pastaj edhe në një angazhim politiko-institucional dhe shtetëror të ridefinimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, do të thotë që kjo zonë, e cila deri para 10 apo 15 vitesh megjithëse ishte pjesë e kontinentit më të civilizuar në botë siç është Evropa, pësoi luftëra të tmerrshme, gjenocide, masakra dhe dhunë të paimagjinueshme, do të thotë që të sjellësh përsëri këtë mentalitet, këtë ide dhe këtë ambient të tronditjes, të përplasjes dhe të interesave për ndryshime territoresh, për ndryshime kufijsh. Ndaj unë them që kjo tendencë dhe kjo qasje që vjen nga Serbia, por, padyshim, me sponsorizim të aktorëve të aksit anti-euroatlantist, i cili, për fat të keq, ka krijuar disa ndikime në hapësirën e kontinentit tonë, do të thotë që të vazhdosh të mbash të gjallë frymën e destabilitetit, të pasigurisë dhe të nxitjes së konfliktit.

Zoti Nishani a mund të themi se Presidenti Thaçi me këtë deklarim thjesht ka dashur të testojë Serbinë dhe faktorin ndërkombëtar në Kosovë?

Unë mendoj, në këndvështrimin tim, që Presidenti i Republikës së Kosovës ka dashur të bëjë publik, çka mund të themi edhe në formë presioni mund të jetë bërë gjatë bisedimeve, të bëjë publike atë çka është hedhur në tryezën e diskutimit. Dhe unë besoj që, më mirë që bëhet publike sepse në njëfarë mënyre edhe ndihmohet qëndrimi shqiptar dhe duke e diskutuar besoj që edhe dalin argumente më të qëndrueshme, më logjike, më të maturuara politikisht dhe institucionalisht, për të kundërshtuar këtë provokim të Serbisë dhe të aktorëve të tjerë proserbë. Kështu që, mendoj që fakti që u bë publike, jo se nuk dihej apo nuk ishte lancuar më parë, por kur hidhet në diskutim si një qëndrim i autoriteteve të Kosovës, merr një konotacion tjetër, merr një qasje tjetër dhe unë besoj që është si fenomen më mirë që lançohet dhe hidhet në diskutim publik, sesa të mbahet ashtu në mënyrë të fshehtë, në mënyrë sekrete dhe të penalizohesh në njëfarë mënyre në fund, në kuptimin politik të fjalës. Besoj që duhen mirëpritur të gjitha reagimet që vijnë nga bota shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, në diasporë, mendimi intelektual dhe besoj që dukshëm këto ditë është ravijëzuar qëndrimi i një shumice dërrmuese në botën shqiptare, që tendenca e Serbisë, synimi i Serbisë për ta alokuar procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë te një pikë, që ka të bëjë pra me shkëmbimin e territoreve apo me të ashtuquajturin korrigjim kufijsh, është jo vetëm në dëm të rajonit, është jo vetëm në dëm të stabilitetit dhe të paqes, por është në dëm të të gjitha proceseve pozitive që kanë tejkaluar në kohën e shkuar, por që kanë sjellë kontribute pozitive në mirëkuptim, në paqe dhe në orientim. Unë besoj që ka ardhur koha që Serbia duhet të kuptojë që, bashkë me përfundimin e luftës së ftohtë, ka përfunduar edhe në rajonin e Ballkanit hegjemonia serbe. Serbia duhet të pajtohet me modelin e rregullit ndërkombëtar të bashkëjetesës, të fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe të paqtimit me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Kjo do të jetë e mirë për Serbinë, kjo do të jetë e mirë për popullin serb, kjo është e mirë për tëgjithë popujt e rajonit tonë, kjo është e mirë për të ardhmen tonë të përbashkët. Fatmirësisht kemi një mekanizëm, i cili e lehtëson edhe perceptimin, edhe mentalitetin, edhe kulturën, edhe sjelljen institucionale, siç është ai i procesit të integrimit evropian. Dhe mbajtja gjallë e këtij procesi i ndihmon të gjitha palët. Por, në fund të fundit, duhet të kuptojë Serbia që lufta e ftohtë ka mbaruar dhe hegjemonizmi serb mbi vendet e tjera dhe mbi popujt e tjerë ka përfunduar.

Nëse Presidenti Thaçi do të këmbëngulë në këtë propozim, a do të shërbejë kjo për një konflikt të ri të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë?

Nuk është çështje më ridefinimi i kufijve. Shkëmbimi i territoreve midis dy shteteve në rajon nuk mbetet më si një problem apo si një çështje e debatit dhe e përplasjes midis këtyre dy shteteve, por kthehet në një çështje rajonale. Ne e kemi parë që konfliktet në rajonin e Ballkanit kanë qenë konflikte midis shumë shteteve. Serbia ka qenë në konflikt me Kroacinë, me Malin e Zi, me Bosnjë-Hercegovinën, me Kosovën, me Maqedoninë dhe vazhdon ende të ketë disa konflikte të tjera. Pra, përplasja midis dy shteteve, veçanërisht në aspektin e territoreve, automatikisht në Ballkan kthehet në një çështje të përplasjes, të konflikteve dhe të destabilitetit rajonal. Prandaj, ajo kaq e ndjeshme dhe kaq sensitive. Jo më kot flitet gjithmonë dhe thuhet që faktori shqiptar është faktori i stabilitetit në rajon, për faktin që kemi sot shqiptarë të shpërndarë dhe që jetojnë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor dhe fakti që këto shtete kanë këtë stabilitet sot është edhe për shkak të kontributit të rëndësishëm të faktorit shqiptar. Pra, në këtë kontekst, mund të themi fare qartë që, çdo tendencë apo tentativë për të krijuar një model të rivendikimit të territoreve, të kufijve të njohur ndërkombëtarisht pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, midis Kosovës dhe Serbisë, padyshim që rikthehet në një problem përplasjesh rajonale. Dhe jo më kot, kemi parë së fundi, që edhe politika e disa prej vendeve të tjera të rajonit tonë, në Ballkan, siç është në Maqedoni p.sh., ka reaguar menjëherë kundër këtyre tendencave, kundër këtyre projekteve apo kundër këtyre synimeve.

Share Messenger

Më të lexuarat