“Humbjet në futboll më lëndojnë, por fatmirësisht kam fëmijët dhe gruan që më ndihmojnë”

Share Messenger

Lionel Messi thotë se fëmijët e tij e kanë ndihmuar si ta kapërcejë dhimbjen e humbjes në fushën e futbollit, sepse ka gjëra më të rëndësishme në jetë.

Ikona e Barcelonës ishte i dëshpëruar për ta shtuar titullin e pestë të Ligës së Kampionëve në koleksionin e tij, këtë sezon, por mbeti tepër i zhgënjyer nga eliminimi kundër Liverpool, përpara se të merrte një tjetër goditje, duke humbur finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias.

Messi ka tre djem me bashkëshorten Antonella; Thiago, Mateo dhe Ciro. Ai thotë se atësia i ka dhënë një përmasë më të madhe pjekurie për jetën.

“Humbjet në futboll më lëndojnë, por fatmirësisht kam fëmijët, merrem me ta dhe duket sikur gjithçka kalon, – tha ylli i Barcelonës për “FOX Sports” në Argjentinë. – Kur ka lindur Thiago (më 2012), kam kuptuar se prioritetet janë të ndryshme, jo vetëm rezultat i një ndeshjeje.

Më dhemb shumë humbja, por shkoj në shtëpinë time, shoh fëmijët dhe gruan time, kështu që hidhërimi kalon. Para kësaj, kthehesha në shtëpi dhe mbyllesha në vetvete. Nuk doja të shikoja TV, as të ushqehesha. Tani kam një detyrë, që të jem në tavolinë me fëmijët e mi. Unë ende vuaj nga humbjet, por i trajtoj ato në një mënyrë tjetër”.

Pas shtatë viteve baba, Leo e di shembullin që duhet të japë: “Kjo është jeta. Mund të pengoheni, edhe të rrëzoheni, por ktheheni e luftoni për ëndrrat tuaja. Ngritja, duke u përpjekur përsëri, është mesazhi për fëmijët, që duan të më shikojnë. Dua ta përfundoj karrierën time duke fituar diçka me ekipin kombëtar, ose të provoj sa më shumë herë që të jetë e mundur. Nuk pëlqej të ketë njerëz që nuk më duan, apo komentet e këqija, që bëhen ndaj meje”.

Share Messenger

Më të lexuarat