Hormova, fshati që sfidoi kohërat dhe stuhitë e shekujve

40 Shares Share Messenger

Veledin Durmishi

Hormova, qyteza më e madhe, me 700 shtëpi dhe 5000 banorë, në Krahinën e Rrëzës, të Tepelenës. Brenda një shekulli, mbi 1000 burra të therur dhe masakruar barbarisht, mbi 5000 banorë të ikur pa kthim,  më shumë se 3000 të tjerë të vdekur dhe të tmerruar rrugëve të mërgimit nga dhuna, uria, malaria, dhe sëmundjet e pashërueshme. Një shembull i rrallë trimërie dhe ndoshta i papërsëritshëm në botë, me 200 dëshmorë…E, megjithatë, ajo qëndroi si ai lisi vigan, mbi të cilin janë derdhur rrufe pa fund, degët iu dogjën, por rrënjët mbetën, dhe lastarë të rinj mbinë. Hormova, rilindi përmes dhimbjeve si feniksi që ngjallet nga hiri. Sfidoi kohërat dhe stuhitë e shekujve.

Hormova është bashi i fshatrave të Rrëzës, që mbi kokë ka hieroren e malit të Golikut e gurgullimën e 72 krojeve të saj. Dielli lind pas shpinës së malit, e ndërsa rrokulliset  në hapësirën qiellore, i jep Hormovës një vezullim shpërthyes. Pranvera i hedh supeve këmishën e blertë të gjelbërimit, ndërsa lumi i Drinos, si një shall i mëndafshtë, hap kindat përgjatë rrjedhjes së tij. Poshtë në luginë gjarpëron rruga për në Gjirokastër e askush që kalon aty nuk mund të mos ndalë një çast e duke treguar me dorë  drejt këtij fshati, të mos i thotë diçka tjetrit që ka në krah. Fshat i bukur që mbetesh rob i bukurisë së tij! Behari është i freskët, ditët humbasin mes gjelbërimit e netët vezullojnë nën ritmin e këngëve të bulkthit. Dimri është  i  butë e i paqtë si shpirti i njerëzve që kanë lindur e vdekur aty. Përballë ka Shkallën e Zezë e  në veri është qyteti i Tepelenës me të cilin ky fshat ka patur dashurinë më të madhe, por edhe përplasjen më të madhe. Grykat e shumta që hapin e mbyllin luginat, sjellin aty gjithë simfonitë e stinëve, gjithë korrentet e kohërave  e që përballë tyre ky fshat ka ditur të qëndrojë.memoriali-i-deshmoreve-te-hormoves-300x225

Emri, Hormovë, vjen nga fjala “Hore”, i cili është një term që është përdorur për të emërtuar qytezat e hershme. Version tjetër është ai i burimit sllav “Hollm”, që do të thotë  kodër. Version i tretë mund të jetë ai nga fjala “hardhi”, si një vend i begatë për të kultivuar hardhinë.

Hormova regjistrohet për herë të parë në një dokument zyrtar në vitin 1431. Ishte regjistrimi i parë turk që u pasua nga një tjetër regjistrim ai i vitit 1583 i cili jep edhe të dhëna më të hollësishme. 200 vjetët që pasuan ishin edhe vitet që e zhvilluan shumë këtë fshat. Tani ai kishte 700 shtëpi dhe numëronte 5000 banorë. Terrori dhe masakra që bëri Ali Pasha mbi këtë fshat e  zvogëloi atë. Hormova ka njohur disa emigrime. Më i rëndi, më i madhi, ka qënë zbrazja e fshatit pas masakrës së Pashait të Janinës, ku qindra familje ikën në vende të ndryshme për t’i shpëtuar përndjekjes se pashait mizor. U vendosën në Vlorë, Berat, Fier, Përmet, Çamëri. Largimi tjetër është ai pas masakrës greke, ajo e vitit 1914, më pas është  largimi pas luftës italo-greke dhe i fundit, ai i viteve ’90.

Hormova është një fshat që ka histori sa askush tjetër në  vendin tonë. Historia i ka dhënë dinjitet e dinjiteti i ka dhënë histori.

Dhimbje dhe qëndresë012-300x185

Libri i jetës së këtij fshati është i rëndë; ai ka peshën e dhimbjeve, peshën e vitalitetit të martirëve. Ai ka madhështinë e kohëve njerëzore e që këtë madhështi e ka sjellë biri i këtij fshati, profesor Begë Musta, në një libër voluminoz me titull: “Hormova – dhimbje dhe qëndresë.” Është i rëndë ky libër; ai ka peshën e tragjedive e dramave të mëdha, ka peshën e  lavdisë së martirëve, ka madhështinë e kohëve të saj, qëndresën dhe dhimbjen e plagëve, mallin e të ikurve  e lotin e kthimit aty.  Nuk e di a mund të ketë një tjetër fshat në Shqipëri që të ketë përjetuar dhimbje, tmerre e njëherazi qëndresë sa Hormova. 550 faqe të këtij libri janë një vepër e plotë në të gjithë gjerësinë e saj, një vepër që ka rrokur të gjitha aspektet e jetës nga lindja në vdekje, shpirtin e thukët hormovit, ndërgjegjen historike. Janë qindra hormovitë që, teksa lëçitin faqet e këtij libri, frymojnë e ti që e lexon këtë  libër i ndjen ata sikur i ke aq pranë e  kërkon t’i prekësh. Janë faqe të gjalla historie që kanë dhimbje, tmerre, lot, qëndresë, vitalitet, faqe me histori luftërash për liri, për mbijetesë e kështu ky libër pasuron më tej bindshëm e bukur gjithë mozaikun historik të Hormovës e rrethinave të saj. Janë qindra hormovitë, luftëtarë qëndrese, intelektualë plot vitalitet, ushtarakë trima, partizanë që nuk dhanë xhaketën në dimrat e luftës për liri, por jetën e tyre, njerëz të thjeshtë që aq bukur u ndrin thjeshtësia, janë mijëra vargje eposi që kanë ilustruar në çdo kohë ngjarjet historike e  shpirtin e ndjeshëm të njerëzve që kanë bërë histori pa e ditur se do të hynin në histori. Ky libër është një enciklopedi, ai është një vlerë e shtuar në historinë e Tepelenës, është një muze të cilin njeriu e ndjen  dhe e sheh në çdo faqe. 

Të huajt për Hormovën

Ndoshta historia që kanë bërë hormiovitët i ka detyruar mjaftë udhëtarë të huaj, që, ndërsa ndiqnin rrugën drejt Gjirokastrës, të mbajnë një frymë në Hormovë. I pari ka qënë Evlija Çelebi.

Evlija Çelebi (1611-1684)

“Udhëtari gjurmues” siç është quajtur ai, ka vizituar këto vise dhe në shënimet e tij të udhëtimeve i quan hormovitëtjo vetëm njerëz trima,  të besës, idhnakë dhe të bukur. Ka pëlqyer së tepërmi klimën, natyrën dhe fshatrat që rrinë në krah të njeri-tjetrit sikur dikush i ka vënë me dorë.

Dositej Obradoviç (1742-1811)

Ishte një klerik i lartë serb që me një mikun e tij, Maksim Llariotski, donin që nga Saranda të preknin  Janinën, por që në Sarandë Maksimi u sëmur dhe nuk mund të vazhdonte më tej. Krejt rastësisht në qytetin tonë jugor u njohën me 20 djem nga Hormova të cilët u ofruan mbështetje të plotë derisa të shërohej Maksimi, madje  i shoqëruan ata drejt Gjirokastrës. Hezituan miqtë e huaj të shkojnë në fshatin e djemve shoqërues, por mësuesi i një shkolle në Gjirokastër, Elefteri,  u foli miqve të panjohur për fshatin e Hormovës, për besën, janë njerëz si të dërguar nga Zoti, dhe gatishmëria e mikpritësve i detyroi miqtë e huaj të shkelnin në Hormovë. Pesë muaj qëndruan  ata në Hormovë dhe gjithçka që kanë parë, kanë përjetuar, Dositej i ka shkruar në shënimet e tij me kujtime. “700 shtëpi kishte atëhere Hormova, kishte njerëz të bukur e të shëndetshëm, njerëz të armatosur, burra nga 80 vjeç që i ngjiten malit, njerëz mikpritës që për mikun e marrin plumbin në lule të ballit. Hormovitët kishin autoritet në gjithë Epirin e më gjerë”.  Autori  shkruan edhe për mungesën e ligjit në këto vise, për paditurinë dhe verbërinë, injorancën, të cilat nuk ua zbehën kurrë cilësitë e tyre të vyera.

Bajroni  (1788 – 1824)

Ndërsa shkonte në Tepelenë, Lord Bajroni soditi me ëndje Hormovën, të cilën e vlerësoi si një vend me djem të rreptë dhe të egër, por jo pa virtyte.

Justin Godart

Deputeti,  juristi francez Justin Godart, që ka qënë edhe mik i shqiptarëve dhe që ka vizituar Shqipërinë disa herë në vitet 1923-1937, në librin e tij “Shqipëria në vitin1921” flet për pasojat e mëdha të masakrës greke në kishën e fshatit Kodër.

Përballë zemërimit të Ali Pashë Tepelenës6-39-905x395-300x131

Rrëza, fshatrat e saj, kishte kohë që ishin bërë arena luftërash, përplasjesh dhe qarqet sundues në të gjitha kohërat, kur kalonin në rrugën drejt Gjirokastrës, mbanin pak karvanet dhe vështronin fshatrat rrëzë Golikut duke treguar edhe me dorë e këmbë episode, histori, përpjekje e që në të gjitha kohët këto qarqe, shqiptare a të huaja, sikur kanë kërkuar, kanë lypur me patjetër miqësinë e tyre, qasjen e bashkëpunimit e, kur kjo nuk është arritur, mbi këto fshatra, sidomos  ndaj Hormovës, janë bërë reprezalje të mëdha.  Edhe Ali Pasha e ka kërkuar miqësinë me këto fshatra. Fshatrat  ortodoksë të Jugut e kanë patur një mbështetje nga dyert e mëdha e ky shërbim nuk është dhënë falas.

Më herët kjo zonë ka qënë në hyqmin e Islam Beut e që më pas kjo kujdestari i kaloi Veli beut (babai i Ali Pashës). Sikur mbanin njëri-tjetrin në këtë marrëdhënie. Por kushërinjtë (Islam e Veli)  u grindën për ca  hormovitë që Islami i quante kriminelë dhe i mbante të burgosur, ndërsa Veli Beu, që ishte kundër këtij akti, nxiti hormiovitët që me forca duhet të ndërhynin në Tepelenë dhe të nxirrnin që andej bijtë e tyre. U bë një përleshje e shpejtë, u vra Islam Beu dhe u dogj edhe konaku që i mbante hormovitët të burgosur. Marrëdhëniet e hormovitëve me oxhakun e Veli pashait ishin të mira.

Pas vdekjes së Veliut, gjithçka të kësaj dere do ta qeveriste nëna e Aliut, Hankoja, e cila ishte një grua me aftësi të jashtëzakonshme, nga i shoqi trashëgoi pasuri të mëdha, territore të gjera dhe pushtet absolute. Ajo do të dinte të qeveriste gjithçka, madje me dorë të hekurt. Që të  krijonte rreth vetes një mburojë të fuqishme, ajo mblodhi gjithë ndjekësit e të shoqit, diti t’i joshte ata me të gjitha mjetet, deri edhe me hiret e saj. Ajo shihte më larg. Kërkoi të ndihet pushteti i saj duke  goditur së pari fshatrat ortodoksë të Rrëzës, duke u marrë  atyre edhe  tokat. Revanshi i shfaqur i zonjës nga oxhaku i Tepelenës, solli reagime të forta të këtyre banorëve, sidomos të Hormovës e Kardhiqit. Oxhaku nuk kishte qëndruar drejt. Marrëdhëniet e tyre dikur të mira, nisën të përkeqësoheshin. U mblodhën banorët e Rrëzës dhe kjo gjë e trembi për vdekje Hankon e Tepelenës, gruan krenare, që  kishte filluar të përjetonte paranojën e vet. Këto fshatra ajo i kishte të trashëguara nga i shoqi dhe nuk mund të mendonte dot se ato mund t’i dilnin duarve të pushtetit të saj.

Pas ftohjes së parë të këtyre marrëdhënieve, konflikti ishte në prag. Sinjali i parë u dha në fshatin Kakoz. Fshatarët nuk pranuan pushtetin e Hankos, sidomos politikat e taksave. Ndihej në ajër zemërimi i Hankos dhe fshatarët e Kakozit kërkuan ndihmë edhe nga Hormova, e cila, në krejt Rrëzën, ishte fshati më i madh, më me pushtet e më me autoritet. Ky unitet e trembi deri në palcë oxhakun e Tepelenës dhe ajo, veç intrigave të saj,  ngriti edhe bandat e para. Përplasja ndihej në ajër. Fshatarët e Kakozit, të ndihmuar edhe nga hormovitët që krijuan një ushtri prej 300  kalorësish, mësynë në Karjan, aty ku ishte vendosur Hankua.

Ishte korrik i vitit 1762. Lufta filloi. Fshatarët e Rrëzës triumfuan. Zunë rob Hankon dhe vajzën e saj  Hajnicën (Shahnishaja). I tallën, i turpëruan dhe për një muaj i mbajtën rob në një burg në Kardhiq.  Nuk mund të përdhosej aq lehtë një zonjë e rëndë dhe me aq pushtet. Gjithçka e pushtetit të saj ishte shembur, ishte përdhosur dhe ajo nuk mund të harronte aq lehtë. Tashmë litarët ishin lidhur, armët ishin mbushur, jataganët ishin mprehur. Aliu ishte vetëm 22 vjeç kur ndodhi kjo përplasje dhe pinjolli i kësaj dere të madhe ishte shquar për marrëzi, trimëri kaçakësh, hajdutëri bandash dhe injektimi nga e ëma e hakmarrjes, shpagimit u kthye në një makth shtrëngues në këtë derë. Aty për asgjë tjetër nuk flitej. Urrejtja u dukej edhe ndër sy, ndërsa hidhnin vështrimin drejt Jugut,  ku horizonti mbyllej në Hormovë.

S’mund ta kapërdinte dot Hankua  këtë turp dhe tani ishte radha e hakmarrjes, atë do ta bënte i biri, i cili më mirë se askush ishte i denjë për t’u hakmarrë. Tani ishte epoka e Ali Pashës. Fati i tij lidhej vetëm e kryesisht me hakmarrjen. Asgjë tjetër nuk mund të shihej në horizontin e Tepelenës veçse nëse nuk nënshtrohej Hormova e Rrëza. Me këtë mllef u mbrujt djali i ri. Por s’ishte e nevojshme për më tej. Ai e kishte në gjak këtë urrejtje. Nëna ia kishte dhënë me qumështin e gjirit sepse “burrë dhe vezir” ai do të bëhej vetëm nga nëna. U bë një përleshje dhe sërish oxhaku humbi. Humbja e ndezi zemërimin e Hankos më tej. Fjalët e saj për të birin ishin poshtëruese: “E hëngre turpin me bukë. Merr furkën dhe shko në konakun e grave. Vish edhe çitjane!”  Aliu që ruhej edhe nga  Ahmet Kurt Pasha  (pashai i Beratit) nuk ndodhej në shtëpi kur Hankua dha shpirt. Nuk i dilte shpirti asaj, nëse nuk shihte hormovitët të masakruar. “Hajnicë! Lugat në gjumë do të bëhem po të mos më merrni hakun. Në varr e patretur do të mbetem, gjersa armiqtë e mi të shuhen të gjithë”!… Aliu u kthye në Tepelenë, por nëna kishte vdekur.

Hormovarë, hormovarë/ Oh, se ç’ini për të kjarë/ ky që kini mik të parë/ Ju ka për të bërë varrë!

Ali Pasha kishte pronë të tij dhe mjeshtërisht i zotëronte lajkat, pabesitë dhe intrigat. Premtoi se gjithçka që kishte ndodhur ishte harruar dhe se ai do të preferonte miqësinë me banorët e Rrëzës. Se grindjet duhet të liheshin mënjanë dhe se ai do të paguante për të risjellë marrëdhëniet e mira që i ati kishte patur me këta banorë. U organizuan edhe takime publike. Dhe ai u bë më i besueshëm, kur një takim i tillë do të bëhej  në Tërbuq, pikërisht në  Manastirin e këtij fshati, një vend  në të cilin askush nuk mund të dalë jashtë udhës së Zotit.  2 000 kriminelë mblodhi Aliu brenda pak kohe. Ndërsa hormovitët u nisën  drejt Manastirit të Shëntriadhës “si për në festë”, kodrat e fshatit ishin mbushur më ushtarët e Aliut, që të armatosur deri në dhëmbë, prisni orën e shpagimit. Hormovitët e kuptuan djallëzinë, por ishte vonë. Manastiri u mbyll. Hormovitët ishin të paarmatosur përballë djallëzisë së Aliut. Në krye të këtij operacioni qëndronte një etiopian, Isuf Arapi, i cili kishte lejen e pashait për të kapur e djegur njeriun më me autoritet të Hormovës, Çaush Priftin. Dhe ka hyrë në histori akti makabër ndaj Çaush Hormovës. Ai u poq i gjallë në zjarrin e urrejtje së Ali Pashë Tepelenës. U bë hi trupi i Çaushit e mbi të hodhën edhe kripë.

Urrejtja nuk kishte patur kufi. 500 hormovitë u masakruan aty në vendin ku nuk lejohet të mëkatosh, aty në Manastirin e Shëntriadhës. Pashai shkoi edhe në Lekël, një fshat tjetër në veri të Hormovës.  Aty kapi Lekë Gjinin, kundërshtarin më të madh të këtij fshati. E vrau dhe trupin e tij e hodhën në rrotën e gurtë të mullirit. Lëkurën e trupit të tij, e cila tani ishte një rrip i përgjakur, e nderën rrugëve për të mbjellë terror, frikë e nënshtrim.

Ikën hormovitët pas masakrës. E braktisën këtë fshat, ikën edhe tej Shqipërisë si të donin të harronin këtë dhimbje të madhe. Pronat e tyre u përvetësuan nga Aliu, i cili në këto troje solli banorë të rinj, myslimanë nga Labëria. Ngjarja mori dhenë. Deri në dyert e Portës së lartë shkoi masakra e Hormovës. Figura të shquara të kohës kanë shkruar për këtë masakër e cila i dha Aliut cilësinë më kryesore të karakterit të tij; dinakërinë.

Sundimtari i Jugut të Shqipërisë nuk mund të sillej dot ndryshe. Me prapësi, dinakëri, ai  krijoi një botë brenda botës, një perandori brenda perandorisë. I çoroditur në gjithë shpërfaqjen e tij, Ali Pasha ishte zemërak, inatçor, prapaskenist, i pabesë, anonim dhe aq i dukshëm, ishte rropamë e kohës, mbolli llahtarë kudo ku ai hodhi njëherë vështrimin, lakmitar i ethshëm për pasuri e pushtet. Paraja i kishte mpirë shqisat, ndërsa pushteti  i kishte errësuar logjikën.

Këto janë për pjesën e parë të jetës së tij, ndërsa në  pjesën  e dytë,  janë  të pa mohueshme përpjekjet e tij në shërbim të sovranitetit të atdheut. Gjithsesi ai e meriton një shilte në panteonin e historisë sonë.  Ka piktura të tëra, ka këngë të popullit, kanë shkruar dhjetëra e dhjetëra poetë e shkrimtarë këtë ngjarje. Papa Kristo Negovanika shkruar një poemë epike, ndërsa populli e ka përjetuar këtë ngjarje me  këto vargje: ”Do t’i nëm gurët në pragje/ ndënë avlli e ndënë sokaqe/ do t’i ndrydh foshnjat ndër barqe….Kapedan Çaush Hormova/ dhjamë e dyllë të pikova/ ty dot besën s’ta ndërrova…”

Nga masakra, në masakër dhe…përsëri në këmbë!6-gra-dhe-femije-dy-dite-pas-masakres-1914-300x205

Perënditë do të shtrëngonin kokën nëse do të dëgjonin mizoritë, barbaritë, tmerret që fqinjët tanë ujqër, veriorë e jugorë, kanë treguar, teksa thithnin gjak dhe kafshonin territore nga trojet shqiptare. Thika, pushka, helmi në shiringat e gjakut, intrigat, akrepi në shkronjat shqipe, tradhtitë, religjionin gjithçka të prapë armiqtë e vunë në shërbim të  shovinizmit të tyre. Por Shqipëria dhe Hormova si pjesë e saj mbijetuan.

Hormova, rilindi përmes dhimbjeve, hirit dhe gllanikëve të gjakut. Sfidoi kohërat dhe stuhitë e shekujve. Sot gjallon dhe lulëzon e bukur, në ijët e Malit Golik. Rreth 200 familje me mbi 1000 banorë jetojnë dhe gëzojnë në vatanet e të parëve të tyre. Mbi 300 të tjera, me 2000 banorë shpërndarë në gjithë Shqipërinë…

***

Vërtet në Jug nuk janë zhvilluar beteja të mëdha me pushtuesin turk, por  revolta dhe zemërimi ndaj tyre  është shoqëruar me protesta të mëdha të cilat kulmonin kur pushtuesit osmanë  kërkonin të vendosnin pushtetin e tyre, kryesisht nëpërmjet taksave. U vra një spahi aty, Ilbegiu Mihaili dhe kjo do të ishte edhe  sinjali i një luftë të përhershme mes osmanëve dhe popullsisë së Rrëzës e kryesisht ai i Hormovës. Fshatarët kundërshtuan fort pushtetin osman, refuzonin të paguanin taksat dhe ky rebelim u kushtoi. Porta e lartë urdhëroi burgosje, internim ndaj njerëzve që ngrinin krye, madje kryen edhe masakra ndaj të pabindurve. Mbi 700 hormovitë e lekëljotë rrokën armët dhe u dhanë frymë protestave  të tyre. Për vite e vite  Hormova do të mbetej vatra e revoltës, fshati ku niseshin luftërat, protestat antiosmane. Reformat me karakter ekonomik, ushtarak, administrativ të cilat synonin nënshtrimin tërësisht të popullsisë vendase,  sollën një valë të re luftërash. Dhe kjo u bë më evidente kur çdo shqiptar do të shkonte pesë vjet ushtar dhe shtatë vjet rezervë në shërbim të perandorisë. Kjo situatë e re mblodhi krerët e Jugut në një  kuvend ndërkrahinor që u quajt  “Lidhja shqiptare” me në krye  Zylyftar Podën, Ismail Vlorën, Tafil Buzin dhe Shahin Kolonjën. Tubimet ishin të pranishme përditë. Hormovitët i përfaqësonte Ali Hormova. Sjellja e tyre ishte e qartë: shqiptarët nuk kishin gjak për të dhënë për  hapësirat e pamata të perandorisë osmane. Gjakun e kishin për të mbrojtur trojet e tyre. E për të, ata nuk e kishin kursyer kurrë! Të gjithë me Tafilë u ngrenë/ Kërcyen në Tepelenë/ Te mekami bënë benë/ Që nizamë të mos venë…

Masakra greke e Hormovës1-ne-kishen-e-kodres-ne-29-prill-1914-andartet-greke-theren-217-burra-nga-hormova-270x300

Fshatrat e rreshtuara, sup më sup, të njëra tjetrës, në gjunjët e  malit të Golikut janë disa, dhe  grekët kanë dashur t’i nënshtronin nën qëllimin dhe pretekstin e tyre se këto janë troje greke, banorët janë grekë autoktonë, flasin greqisht dhe janë ortodoksë grekë.  Dhe sigurisht në këtë varg fshatrash  ishte edhe Hormova,  historia e së cilët i kishte shqetësuar jo pak qeveritë greke, pushtuesin turk si dhe  pashallëkun e Janinës. Popujt i lidhnin njeri me tjetrin shumë fije, por politika trazonte keqas marrëdhëniet shqiptaro-greke duke ngjallur urrejtje të cilët herë-herë krijonin luftëra dhe krime të mëdha. Herë-herë nga toka helene vinin banda që, ndërsa në qafë mbanin kryqin e besimit të tyre, në duar mbanin thikën dhe urën e zjarrit.

Dhe tabela ishte si gjithnjë Hormova rebele, Hormova e panënshtruar, Hormova që kishte prishur ëndrrat e vjetra e të reja të  megali-idhesë greke. Të gjunjëzonin Hormovën, ta çnderonin atë, të përzinin myslimanët, të mbillnin kudo kishat e tyre e ngado të vinin tabela “Vorio Epir”. Përpjekjet e kishës greke  për të kontrolluar kishën ortodokse autoqefale shqiptare janë të vjetra dhe s’kanë ndikuar kurrë në afrimin e popujve e qeverive tona. Nga rrasoja e zezë e priftërinjve grekë,  shqiptarët kanë patur frikë; pas saj janë fshehur qëllime të mbrapshta që në themel kanë patur forcimin e pozitave greke në Jug të Shqipërisë.

Dhe qëllimi justifikon mjetin. Mblodhën kriminelë, burgaxhinj, ordinerë, tradhtarë;  i armatosën  me armët e urrejtjes të cilat ata kishin shekuj që i njihnin dhe që i përdornin,  dhe atë pranverë të vitit 1914, marshuan drejt Hormovës.”Ja vdekje, ja Greqi”, ulërinin bishat greke edhe pse në qafë mbanin  simbolin e krishterimit, kryqin. Por u ndeshën me shqiptarët që ishin rreshtuar në llogore e  të vendosur të ruanin kufijtë e tokës së tyre. 200 trima i komandonte Selam Musai që aty u plagos, por që jetën do ta jepte në një tjetër front, në atë të Vlorës, me një tjetër pushtues,  atë italian. Mbi 200 grekë u vranë në këtë luftë, por edhe 12 luftëtarë të lirisë derdhën gjakun aty në gjoksin e malit të Golikut. U larguan grekët nga ato ditë luftimi, por urrejtja u buronte nga sytë.  Sërish ata nisën betejën tjetër, tani jo më ballë përballë, por me atë mënyrën e tyre të cilën e njohin se ata e kanë shpikur e që për të i njeh gjithë bota: pabesinë.

Më  1 prill 1914 në orën nëntë të mbrëmjes andartët grekë që numëroheshin mbi 2000 trupa,  rrethuan Hormovën. E rrethuan duke mbyllur çdo shteg, Hormova u vu nën një darë të fortë rrethimi. Trupat që mësynë Hormovën ishin trupa me uniformë të rregullt  të ushtrisë greke. Plani ishte i qartë: të çarmatosen hormovitët, të grumbullojmë armët. Tradhtarët janë gjendur në çdo kohë. Listat ishin gati, me emër e mbiemër, për çdo shtëpi. Do të vriteshin, do të thereshin të gjithë burrat e fshatit.  Mizoritë e tyre s’kanë patur ndonjëherë fund. Me shekuj fqinji ynë Jugor, greku, ka zotëruar perfekt dinakëritë, pabesitë dhe i ka përdorur ato për greqizimin e viseve të Jugut të Shqipërisë. Dhe funksionoi hapi i parë i sulmit.

Për pak orë u sollën të lidhur të rrapi i fshatit paria e Hormovës. Ishin paria e fshatit, burrat që krejt të çarmatosur ishin  nën goditjet e bajonetave, thikave e torturave çnjerëzore të andartëve grekë. I grumbulluan  e grupe-grupe,  i nisën drejt fshatit Kodër, pak kilometra  drejt veriut, përballë lumit të Vjosës e Tepelenës.

Një kishë e vogël ishte në fshatin Kodër, një kishë, shtëpi e Zotit, por që Zoti nuk u çmend nga ato që pa aty, në oborrin, në truallin e kishës. Një kasaphanë e vërtetë, një tmerr, një dhunë  e padëgjuar kund. Andartët tani i mbanin thikat ndër dhëmbë e urrejtja  aty nisej, aty nxitej për të shfryrë te njerëzit e pafajshëm e të pambrojtur hormovitë.  Tragjeditë e Eskilit  s’kanë rrëfyer kund të tilla masakra. Mendja njerëzore s’i ka thënë kund, mesjeta ka dëshmuar aty-këtu edhe tolerancë qoftë edhe hyjnore. Andartët grekë ishin  të vendosur të çojnë  deri në fund urrejtjen e tyre  që askush nuk e ka ditur nga u ka buruar. 217 burra  hormovitë u vranë aty. Rreth mureve të kishës rrinin ushtarët grekë që godisnin pa ndërprerje, dy mitraloz nuk e pushuan sulmin fatal. Përleshjet trup me trup, midis hormovitëve dhe armikut, ishin të ashpra dhe të përgjakshme. Tre  burra të Hormovës, Sako Shikua,  Arif Llaci dhe Sute Zeneli, me duart e tyre mbytën tre roja greke, të cilët u morën armët dhe tentuan të dalin, por pak metra dhe ata ranë mes breshërisë së plumbave. E pa tërë tmerr këtë skenë Begë Tena, i cili u përlesh dhëmbë për dhëmbë me ushtarët grekë, por nuk mundi dot më tej. Ushtarët ishin gardh dhe ai bie i gjallë në duart e andartëve. Urrejtja nuk paska patur kufi në atë kishë të vogël. Trimin hormovit Begë Tena e lidhën, dhe para syve të tij  i therën djalin. O tempora, o mores! O Zot,  falju njerëzve mëkatet kur nuk dinë çfarë bëjnë! Begën e varën në litar, i prenë këmbët, e shpuan me thikë në zemër.

Pranvera mbajti frymën atë prill, ndërsa dita ngeci diku në grackën e dy netëve. Ç’do të thoshte Soloni, Sokrati për bëmat e pasardhësve të vet ndaj fqinjit të tyre që historia i paska dënuar kur i hodhi në kufi të njeri-tjetrit?!  Hienat greke silleshin rrotull vendit të masakrës. Ata shijonin frytet e dhunës së vet, teksa kënaqeshin duke parë fqinjin e vet të masakruar si askund gjetkë.

Masakra mbaroi, por, edhe pse mundësitë e informimit ishin të pakta, ngjarja fluturoi shpejt. Opinion ndërkombëtar reagoi menjëherë. Erdhi ambasadori amerikan, një komision hetimor ndërkombëtar pa me sytë e vet këtë masakër e cila kishte gjetur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Ortodoksët shqiptarë të kësaj treve kanë refuzuar të jenë nën ndikimin e kishës greke, ndikim që ndihet edhe sot e tërë ditën  e për këtë punojnë jo pak qarqe jashtë Shqipërisë, por edhe brenda saj.

Lufta e Shkallës së Zezëhormova-300x225

Masakra  greke e vitit 1914 shkaktoi plagë të mëdha të cilat edhe koha nuk mund t’i shëronte dot. Një pjesë e hormovitëve ikën, por vendi nuk u shkretua. Atu rilindi jeta, shpirti luftarak i hormovitëve nuk mund të shuhej kurrë. Ai shpirt aty ishte, në çdo vatër, në çdo shtëpi,te çdo burrë që shihte horizontet duke shtrënguar pushkën në duar. Luftërat me Italinë e prekën edhe Hormovën, revolta ani-Zog i bëri hormovitët të protestojnë sërish. Dhe shumëkush e kishte fare të qartë: hormovitët nuk mund t’i gjunjëzonte askush! Pushtimi fashist i shtatë prillit 1939 ngjalli një indinjatë të madhe popullore. Lanë shtëpitë, stanet, punët e bujqësisë dhe u rreshtuan në krahun e Çlirimtares dhjetëra e dhjetëra burra e gra hormovitë. U organizuan në çetat territoriale dhe lidhjet me udhëheqësit  e luftës ishin të vazhdueshme.

Dhe aty, poshtë fshatit, në atë vendin që metafora e emrit s’është aspak  e pëlqyeshme, u zhvillua një betejë e cila ka hyrë në histori si beteja e “Shkallës së Zezë”. Shtator i viti 1943. 200 hormovitë dhe nga fshatrat përreth, krijuan një  batalion partizan i udhëhequr nga Abaz Shehu, Hero i Popullit. I bënë  një pritë hordhisë naziste, e goditën fort atë duke vrarë 14 gjermanë, u godit edhe një aeroplan nazist që mitralonte trupat partizane. Lugina e Drinos u ndez flakë. Bijtë e Rrëzës dëshmuan si gjithnjë trimërinë e tyre. Sulmi ishte si rrufe dhe armikun e mbërtheu paniku. Lugina është e ngushtë dhe armiku mbeti brenda grackës së saj. Dhe populli e ka përjetuar këtë luftë: “Atje poshtë te Shkallë e Zezë/ Luftë e ashpër seç u ndez/ Djemtë e Rrëzës si luanë/ U përleshën me gjermanë/ ku vini more dushmanë/ Kanë zot këto anë…”

Hormovitë që kanë lënë gjurmë

Diamanti  dhe Kosta Hormoviti

I ka detyruar të largohen nga Hormova masakra e Ali Pashës. U vendosën në Greqi. Edhe pse  përjetuan fatkeqësi të mëdha,  kanë ditur të ruajnë vlerat më të mira të origjinës së tyre. Ne revolucionin grek (1821-1826), krijuan një njësit ushtarak me 400 trupa, mes të cilëve edhe shumë bijë të Hormovës. Ishte revolta e grekëve kundër turqve që historia nuk e ka fshehur të vërtetën e madhe: në këtë revolucion kanë dhënë shqiptarët një kontribut të madh. Ranë në këtë luftë (qindra) shqiptarë, 160 dëshmorë, vetëm hormovitë. Diamanti, që ishte edhe komandanti i kësaj trupe, u vra dhe vendin e tij e zuri i vëllai, Kosta i cili ishte inxhinier miniere dhe njohuritë e veta mbi minat luftarake i vuri në shërbim të revolucionit. Ai është një nga heronjtë më të mëdhenj të kësaj lufte. Ka marrë vlerësimin e lartë “Gjeneral”. Është një bulevard në Athinë që ka emrin e tij, ndërsa emrin e vëllait të madh, Diamantit, e mban një shesh në Athinë ku edhe një shtatore është ngritur aty për të përjetësuar  kontributin e madh të një luftëtari, emrin e këtij hormoviti që dha jetën në emër të lirisë njerëzore.

Sheh Ali  Hormova

Ka qënë veshur me petkun fetar, por gjithçka të jetës së tij e ka vënë në shërbim të Atdheut. Një veprimtar shoqëror, mësues, i biri i Sheh Veipit, patriotit që është masakruar nga grekët në vitin 1914. U shkollua  në Izmir e me pas ndoqi një kurs në Labovë për mësues. Në xhaminë e fshatit hapi shkollën e parë shqipe e më pas ka qenë me detyra shtetërore  deri në Lezhë, Skrapar, Fier.  Ishte antizogist, ndaj pushohet nga puna. U bë pjesë e luftës antifashiste, nacional-çlirimtare e  pas luftës punoi si fetar në Hormovë. Eshtë dekoruar me shumë  medalje dhe qarkullojnë libra të tij si “Masakra”, “Era e sabahut” dhe “Këshillat e të urtit”

Zenel Muharrem Gjinushi

Komandant i vendit. I njohur në të gjithë Rrëzën, për zgjuarsi, trimëri dhe kurajo të lartë. Zeri i tij ishte zë i fortë, Hormova dhe gjithë Krahina e Rrëzës, e provoi  xha Zenelin në luftra dhe beteja të ashpra, në krye të kuvendeve dhe gjykimeve popullore. Ishte burrë zakoni, i peshonte fjala, gëzonte respekt në të gjithë krahinën. Në krye të hormovitëve dhe labovitëve, xha Zeneli, organizoi dhe udhëhoqi, operacionin për çarmatosjen e karabinierisë në zonën e Rrëzës, dhe zëvendësimin e pushtetit të komunave me ato të këshillave të luftës nacional-çlirimtare. Në vitin 1943, u zgjodh komandant i vendit. U bëri thirrje djemve dhe burrave të Rrëzës, të mbushnin radhët partizane dhe të krijonin çetën territoriale të Rrëzës. Djali i tij i vetëm, Et’hemi, me djem dhe vajza nga fshati, u inkuadruan të parët në radhët e forcave partizane. Xha Zeneli, korrte atje ku nuk mbillej, thoshin bashkëfshatarët dhe krahinorët e tij. Është ndër organizatorët dhe udhëheqësit e parë të luftimeve në Mezhgoran, Dorëz, Këlcyrë, Luzat, Tepelenë, betejën e Shkallës së Zezë.

Ervehe Abas Çela

Ishte vetëm 18 vjeçe kur me armë në dorë u rreshtua në Brigadën e Pestë Sulmuese. Me disa shokë të brigadës kishin marrë një detyrë të rëndësishme; duhet të çonin disa dokumente sekrete, por rrugës njësiti partizan ra në një pritë gjermane. U bë luftë aty, shokët e njësiti u vranë, ndërsa Erveheja, që kishte edhe dokumentet që i ishin besuar, nuk duhej të binte në duart e armikut. Nuk kishte asnjë zgjidhje veç të hidhej  në krateret e malit të Velçës. Fluturoi si një shqiponjë në atë humnerë dhe pas disa orësh e gjetën partizanët, të copëtuar dhe pa ndjenja.  E morën partizanët vajzën e plagosur dhe e nisën maleve të Kurveleshit drejt  spitalit të Gjirokastrës. 12 orë udhëtuan partizanët duke mbajtur në një barelë të improvizuar trupin gjysmë të pajetë të partizanes Ervehe. E fshehën emrin e vërtetë të saj në Gjirokastër e më pas e nisën në një spital të Janinës ku edhe shpëtoi nga vdekja. Pati problem të mëdha në gjymtyrët e poshtme dhe u desh një ndërhyrje kirurgjikale në Bashkimin Sovjetik, menjëherë pas luftës. Jeta e saj, akti i saj i lartë  ka qënë frymëzim i një skenari të një filmi artistik që njihet si Lilo Labja.

Nevro Bërdaj

Lufta Çlirimtare kishte ngritur të madh e të vogël në rreshtat e saj. S’kishte asnjë ideal tjetër veçse çlirimin e Atdheut, veçse lirinë për të cilën sa e sa breza kishin luftuar. Edhe Nevro Bërda, vajza hormovite vetëm 17 vjeçe u rreshtua  në Brigadën e Shtatë Sulmuese. Ishte më e reja në atë brigadë, por më zemërzjarrta pushka e së cilës nuk pushoi deri edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, në ndjekje të hordhive pushtuese. Mori pjesë në çlirimin e Tiranës, por plumbi e mori në ballë, në  shkurt të vitit 1945 në Vishegrad. Tre plumba mori trimëresha, e cila është shpallur dëshmore e atdheut dhe emrin e saj e mban shkolla në vendlindje, në Hormovë.

Hurma Skëndaj

Burrnesha e Hormovës, burrë dhe grua ka qënë Hurmaja.  Djali  ishte rreshtuar në çetat e luftës për liri, ndërsa burin e kishte të sëmurë e kjo e detyroi Hurmanë që të shkonte në Fier për të siguruar atë të uruar bukë. Rruga i shkoi mirë Hurmasë, gruas hormovite 40 vjeçare, por fati i keq ishte ruajtur aq afër Hormovës, në Dragot. Aty ndeshi me gjermanët të cilët i kërkuan që të shkarkonte kalin e të largohej se kafsha do t’u duhej për ngarkesa ushtarake. Por trimëresha nuk u bindej gjermanëve. Krejt e vetme filloi të ngarkonte kalin me bereqet. Por edhe gjermanët nuk u dorëzuan e përballë kësaj trimëreshe ata vetëm me armë mund të ndaheshin. Misrin ia hodhën në lumë e ajo u kacafyt me gjermanët, të cilët e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në valët e rrëmbyera të Vjosës. Shtëpia e saj në fshat ka qënë bazë e luftës për liri dhe  trimëresha u dha dhimbje të gjithëve ashtu siç i mbushi edhe me krenari./gazetadita.al/

Share Messenger

Më të lexuarat