Hisja me pozita, VV-ja e LDK-ja ende pa marrëveshje

Share Messenger

Dy partitë e dala të parat nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, nuk po mund të ndajnë hesapet sa i përket ndarjes së posteve të rëndësishme, ani pse kanë harmonizuar 100 për qind programin qeverisës. LDK-ja dhe VV-ja, edhe pse kishin paralajmëruar, as dje nuk nënshkruan marrëveshjen për koalicion. Tashmë, dy partitë kanë mbetur vetëm të merren vesh për ministritë, mirëpo, në këtë pikë si duket po ngecin në negociata, shkruan Gazeta Express.

62 vota i kanë të siguruara në Kuvend të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kurdoherë që këto të dyja të merren vesh për të formuar së bashku qeverinë e ardhshme, si dy parti të dala të parat nga zgjedhjet.

Mirëpo, puna e koalicionit LDK-VV si duket do të zgjasë edhe pak ditë, pasi që siç ishte paralajmëruar që e njëjta të nënshkruhet dje, disponim për të finalizuar marrëveshjen nuk pati.

Përderisa për javë të tëra, LDK-ja e VV-ja janë harmonizuar përmes grupeve punuese, e thanë se programin e kanë koordinuar 100 për qind. Bisedimet ndërkaq kanë ngecur te ndarja e pozitave të rëndësishme.

Që nga fillimi, partia e Albin Kurtit kishte kërkuar që në tavolinë të diskutimit të mos vihet çështja e presidentit, që do të pasojë Hashim Thaçin, megjithatë, LDK nuk ishte sprapsur nga kjo kërkesë.

Derisa VV ka pranuar që të dakordohen për pozitën e të parit të shtetit, puna e ndarjes së ministrive po vazhdon të sjellë telashe të reja.

Merret vesh se LDK po vazhdon të kërkojë ndarje proporcionale në mes të dy partive të dala të para nga zgjedhjet, kur vjen puna te postet ministrore. Gjithashtu, edhe pozita e krye parlamentarit është kërkuar nga partia e Isa Mustafës.

Të zëshëm LDK-ja po tregohen edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme, një premtim elektoral i VV-së, që nuk do të negociohet në pazaret për koalicione, pasi që me të janë folur edhe reforma në këtë fushë.

Sa i përket mënyrës së ndarjes, dy partitë ishin dakorduar që të zgjedhin njëherë njëra një ministri, e pastaj tjetra, derisa Lidhja Demokratike kërkoi që ndarja e ministrive të bëhej përmes zgjedhjes bllok.

Sot ndërkaq gjatë ditës Express merr vesh se nuk është paraparë ndonjë takim në nivel të liderëve.

Pas takimit të djeshëm, foli para mediave lideri i VV-së, Albin Kurti, derisa deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në kontakt me të parin e LDK-së, Isa Mustafën.

“Kur ta kemi marrëveshjen e plotë do të mundë ta shpalosim gjerë e gjatë, përfundon takimi i sotëm dhe unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë më tutje drejt marrëveshjes”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në anën tjetër, pas takimit me Kurtin tha se patën një takim përmbajtjesor, mirëpo nuk u dakorduan në disa çështje. Ai konfirmoi se me VV-në kanë dallime.

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm katërvjeçar. Natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi me qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë ai

LDK dhe VV së bashku sigurojnë 57 ulëse në Kuvend të Kosovës, pa votat e minoriteteve. VV ka marrë 29 mandate, e LDK-ja një më pak. Të dy partitë kanë synuar koalicionin qysh pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeminsitrit.

Share Messenger

Më të lexuarat