Haradinaj për televizionin serb: Tregimet për mua si kriminel lufte janë tejkaluar

Share Messenger

“Gjykata për krime lufte për pjesëtarët e UÇK’së është diskriminim ndaj Kosovës, ndërsa tregimet për mua si kriminel lufte janë tejkaluar”, është shprehur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në intervistën dhënë televizionit serb Palma.

Haradinaj në këtë intervistë flet më gjerësisht për raportin Kosovë-Serbi duke vënë në qendër të vëmendjen faktin se rruga e përbashkët e dy vendeve duhet të jetë anëtarësimi në Bashkim Evropian (BE).

“Prej vitit 1999, Kosova shkon në rrugën e vet, e kjo është Republika e pavarur e Kosovës dhe qëllimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe në NATO. Është koha që të gjithë ta kuptojnë këtë në mënyrë reale. Luftërat në hapësirën e ish Jugosllavisë na kanë kthyer 20 vite prapa e gjatë asaj kohe shumica kanë shkuar përpara. Dhe është me rëndësi edhe për Kosovën, edhe për Serbinë dhe për të gjitha vendet e rajonit që të mos humbim kohë”, ka deklaruar  në kryeministri Haradinaj.

Ai tutje ka folur edhe për propozimin për dialog të brendshëm  lidhur me çështjen e Kosovës në Serb, propozim ky nga presidenti Aleksandar Vucic.

“Propozimi i kryetarit serb Vucic për dialog të brendshëm në Serbi mbi Kosovën është propozim i mençur. Edhe ne në Kosovë kemi nevojë për dialog në mes neve. Dhe mirë është që nuk bisedojnë vetëm liderët, por duhet që edhe popujt të flasin në mes veti. Diskutimi na nevojitet të gjithëve”, thotë Haradinaj duke shtuar se fokusimi i veprimit të qeverisë së tij do të jetë përmirësimi i standardit jetësor të gjithë qytetarëve të Kosovës, kthimi i besimit në institucione dhe kthimi i besimit në mes popujve.

Kreu i AAK-së ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushteutese lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket Asociacionit të komunave serbe, gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të realizohet. Dhe se sipas Kushtetutës ekzistuese të Kosovës, në të cilën është përfshirë plani i Ahtisarit, është paraparë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kontestuar një pjesë të marrëveshjes së Brukselit i cili ka të bëjë me Asociacionin e komunave serbe. Momentalisht nuk e di se ku qëndrojnë dallimet dhe ende nuk jam marrë me te. Do të thotë se ish kryeministri i Kosovës ka nënshkruar në Bruksel, por Gjykata Kushtetuese e ka kontestuar. Unë nuk kam kapacitet të punojë jashtë Kushtetutës. Kosova nuk ka nënshkruar në Bruksel diçka me qëllim që të mos implementohet, por këtë nuk e ka kontestuar politika por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila për ne është më e vjetër se Brukseli”, ka thënë Haradinaj.

“Gjykata për krime lufte për pjesëtarët e UÇK’së është diskriminuese për Kosovën, ndërsa tregimet për mua si kriminel lufte janë tejkaluar. Koha e luftës në Kosovë ishte tragjike. Unë kam qenë luftëtar me armë në dorë dhe nuk më vjen turp për këtë. Prokurori i Përgjithshëm i Tribunalit të Hagës më ka ndjekur tetë vite. Rezultatin e dini. Ne jemi përgjigjur në shumë pyetje mbi luftën në Kosovë në Hagë, para UNMIK’ut dhe EULEX’it. Kjo gjykatë do të jetë e katërta me radhë”, ka thënë Haradinaj, përcjell Gazeta Metro.

“Për mua është me rëndësi që sot, pas historisë sonë tragjike, të kemi energji pozitive në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe të kemi për qëllim Bashkimin Evropian, por që secili të udhëheqë në territorin e vet. Është me rëndësi që të ekzistojë respekti, dhe nëse Beogradi e respekton Kosovën, unë jam i gatshëm ta respektojë Beogradin dhe Serbinë dhe të gjitha vlerat e popullit serb. Por ajo që është realitet është pavarësia e Republikës së Kosovës”,  ka thënë Haradinaj.

Në pyetje ta komentojë faktin se Perëndimi i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, ai ka thënë:

“Nuk merrem me politikë të jashtme. Presidenti i Kosovës dhe ministri i jashtëm kanë më tepër kohë për këtë, përfundon kryeministri i Kosovës intervistën për Palma Plus.

Share Messenger

Më të lexuarat