Hakmerren në Beograd për taksën, thonë se Komoret kanë tërhequr njohjen

12 Shares Share Messenger

Zyrtarë dhe media serbe sot kanë njoftuar se një shtet tjetër do të marrë vendimin për çnjohjen e Kosovës. Njoftimin së pari e ka bërë ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, më pas mediat e tij e kanë bërë konfirmimin, se Ishujt Komore janë shteti që ka marrë këtë vendim.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili njihet edhe si “Slloba i vogël” për shkak se ka qenë bashkëpunëtor i Kasapit të Ballkanit dhe ka provuar edhe ta imitojë atë, ka thënë sot se edhe një vend tjetër do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se këtë do ta konfirmojë sot zyrtarisht.

“Ky do të jetë shteti i dhjetë që tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës. Le të thonë se ato janë dofarë “vendesh pa lidhje”, por unë them – ato janë dhjetë vota ndër 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ai.

Më pas B92, një medium dikur i pavarur, tash në shërbim të politikës në Beograd, ka bërë me dije se është konfirmuar që çnjohja është bërë nga Ishujt Komore.

Komoret kishin njohin Kosovën më 2009. Për këtë njohje kishte njoftuar lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Për Gazetën Express, Pacolli asokohe kishte shpjeguar se njohja pritet t’i konfirmohet edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

“…Republika e Komores praktikisht ka marrë vendim që ta njohë pavarësinë e Kosovës…Unioni i Komoreve ka vendosur ta njohë pavarësinë e Kosovës”, kishte thënë Pacolli.

Ministri aktual atë kohë kishte thënë se njohja nga Komoret është rezultat direkt i punës së tij me autoritetet e atjeshme. “Ky është edhe rezultat i vizitës time në Ligën Arabe dhe gjatë qëndrimit në Doha. Kjo është vendosur, kur do të vijë njoftimi në Ministri nuk e di. A do të ndodhë nesër apo pas disa ditësh, nuk e di”, ka thënë ai.

Unioni i Komoreve ndodhet në brigjet lindore të Afrikës në Oqeanin Indian, ka 1862 km katrorë dhe ka 800 mijë banorë.

Për shkak të kësaj fushate të Serbisë, Kosova dje ka vendosur një taksë për mallrat serbe, e cila ka nxitur reagime edhe në Beograd, edhe në Bruksel.

 

Share Messenger