Granit Xhaka flet për Kombëtaren e Kosovës

Share Messenger

Mesfushori i Arsenalit dhe Zvicrës, Granit Xhaka është sonte në “Elbasan Arena” për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020-es.

Në një intervistë për Supersport, Xhaka zbuloi se vetëm sot kishte mbërritur për në Prishtinë dhe ishte nisur menjëherë për në Elbasan, për të ndjekur nga afër kuqezinjtë, ku luan edhe vëllai i tij Taulanti.

Granit Xhaka zbuloi se e ka ndjekur vazhdimisht Kombëtaren Shqiptare dhe tha se sot pret për një fitore të kuqezinjve, për të lënë pas momentin e vështirë që po kalon.

“Po e kam ndjekur dhe e di që për momentin nuk është duke kaluar një moment të mirë, por shpresojmë sot me një fitore”, u shpreh Xhaka.

Xhaka tregoi se sa është i lidhur me vendin e tij.

“Mbrëmë mbarova angazhimet dhe udhëtova sot në mëngjes në Prishtinë, ndërsa sot kam ardhur me familjen në Tiranë, për të ndjekur Kombëtaren Shqiptare. Do të rri 7-8 ditë në Prishtinë dhe pastaj do të iki me pushime, me bashkëshorten time”, tha Xhaka.

Tutje ai ka thënë se ndihet shumë krenar për formën e Kosovës.

“Jam krenar për ta, pasi po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe kanë një skuadër të mbushur me elementë cilësorë. Shpresoj të vazhdojnë kështu”, ka thënë Xhaka.

Derisa për të ardhmen e Taulantit ka shtuar se, “ai ka edhe dy vite kontratë me Baselin dhe ende nuk e dimë se çfarë do të bëjë me të ardhmen”.

Share Messenger

Më të lexuarat