Gjykata refuzon kërkesën e Ronaldos

Share Messenger

Cristiano Ronaldo do të detyrohet të futet në objektin e gjykatës së Madridit në këmbë të martën, pasi i është refuzuar kërkesa për trajtim të veçantë, kanë thënë zyrtarët e gjykatës ku portugezi do të paraqitet për rastin e mashtrimit tatimor.
Sipas dokumenteve të gjykatës të datës 18 janar, të cilat u zbuluan sot, sulmuesit të Juventusit dhe ish-lojtarit të Real Madridit nuk i janë pranuar kërkesat për masa të veçanta të sigurisë. Ronaldo kishte kërkuar që ta shmangë ecjen para gazetarëve dhe personave të mbledhur para gjykatës.

Seanca gjyqësore ndaj tij do të nisë të martën në orën 9:50 në mëngjes dhe vendimi për Ronaldon mund të merret po atë ditë apo në ditët në vazhdim.

Ronaldo pritet të marrë gjobë të rëndë pasi autoritetet tatimore të Spanjës dhe avokatët e lojtarit gjeten një marrëveshje për zgjidhjen e problemit. Ronaldo akuzohet se i kishte fshehur të ardhurat e fituara nga të drejtat e imazhit gjatë kohës së tij në kryeqytetin spanjoll.

Megjithatë, kërkesa që Ronaldo kishte për ta lejuar të futet në gjykatë duke i shmangur kamerat dhe gazetarët nuk është pranuar.

Marrëveshja mes avokatëve të Ronaldos dhe autoriteteve tatimore të Spanjës nënkupton se 33-vjeçari do të gjobitet me 18.8 milionë euro dhe do të dënohet me 23 muaj burg, të cilat nuk do t’i kryejë.

Kryeja e dënimit deri më dy vite burg nuk është detyrim në Spanjë për personat që kryejë krim jo të dhunshëm për herë të parë.

 

Share Messenger

Më të lexuarat