Gjermania ndihmon Kosovën në sigurime shëndetësore

Share Messenger

Gjermania edhe zyrtarisht ka nënshkruar deklaratën e parë në histori në mes të dy vendeve në lidhje me bashkëpunimin në shëndetësi, shkruan Gazeta Metro.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn, kanë nënshkruan Deklaratën e parë të Përbashkët në histori në mes të dy vendeve për bashkëpunim në shëndetësi.

Sigurimi shëndetësor, rritja e kapaciteteve menaxhuese në spitale përmes asistimit të ekspertëve gjermanë, kualifikimi i profesionistëve shëndetësorë, si dhe mbështetja e akreditimit dhe certifikimi i stafit shëndetësor janë pikat kryesore mbi të cilat do të orientohet bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Është një ditë historike për Kosovën ngase kjo është hera e parë që nënshkruajmë deklaratë të tillë me Gjermaninë. Gjermania, një ndër shtetet më të fuqishme në Europë, është aspirata dhe pika e jonë referente për sistemin tonë shëndetësor. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë që të zhvillojmë një sistem shëndetsor modern dhe të qëndrueshëm që i mbron qytetarët tanë nga varfëria”, ka thënë Ismaili.

Ai tha se zotimi që ka marrë sot nga Qeveria gjermane prek pikërisht dy ndër pikat më kyçe të sistemit shëndetësor kosovar: menaxhimin spitalor dhe sigurimet shëndetësore.

“Më konkretisht presim që tash e tutje në baza të rregullta të shkëmbejmë ekspertizën, informacionin dhe përvojat e nevojshme në lidhje me organizimin, strukturën dhe reformat në fushën e shëndetësisë. Kemi krijuar një bazë të fortë ku shkëmbimet profesionale në sektor janë të lehta dhe mirë të organizuara”.

Ismaili shtoi se si shtet i ri që ka vuajtur nga mungesa e investimeve, Kosova duhet që shëndetësinë e saj ta projektojë dhe ndërtojë me mjetet më moderne të këtij shekulli.

“I lumtur që po mundësohet një bashkëpunim në kuadër të sigurimeve shëndetësore. Deklarata e Përbashkët gjithashtu krijon një hapësirë për bashkëpunim në lidhje me përmirësimin e cilësisë dhe standardit të infermierisë në Kosovë, si dhe certifikimin e tyre”.

Share Messenger

Më të lexuarat