Gjashtë universitetet që i hapi Thaçi po planifikon t’i mbyllë Haradinaj

Share Messenger

Hashim Thaçi diku në vitet 2009 -2010 po e shpaloste gjithandej planin e tij për t’i bërë qendrat kryesore të Kosovës me universitete publike, ku do të studionin me mijëra studentë. Qysh atëherë iniciativa e Thaçit si Kryeministër po cilësohej e dëmshme dhe vetëm me motive elektorale. Por, tani duket se historisë së universiteteve do t’ia japë fund Ramush Haradinaj, i cili po planifikon t’i mbyllë ato duke i shndërruar ne fakultetet në kuadër të UP’së.

Qeveria Haradinaj ka plan ridizajnimin e universiteteve të shumta, të cilat i krijoi Hashim Thaçi. Ky i fundit ishte treguar dorëlirë rreth pagave e infrastrukturës së arsimit – gjë që mund t’i kapitalizohej në vota – por që e gjithë kjo la për të dëshiruar në cilësinë e arsimit.

Ish-ministri Ramë Buja nuk i mbron vendimet e tij për krijimin e këtyre universiteteve. Thotë se ishin vendime qeveritare, që i kishte zbatuar.

Vendime politike dhe të panevojshme për të krijuar këto universitete i quan edhe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka plan që universitetet jashtë Prishtinës t’i kthejë në kampuse apo fakultetet. Për këtë, ai ka krijuar një komision që do të vlerësojë çfarë duhet bërë rreth profilizimit të këtyre universiteteve.

Krijimi i gjashtë universiteteve duket të ketë qenë momental dhe me qëllim të qartë – votën, pasi që qeveria e re planifikon të fillojë në eksperiment të ri.

Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Bytyqi kanë folur për idenë e kthimit të universitete në kampuse të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Prizrenit.

Gazeta Express ka kontaktuar zyrën e Ministrit të Arsimit prej ku kanë shpjeguar planin e konvertimit të universiteteve në fakultete.

“Ideja është që disa nga këto universitete të kthehen në kampuse, pra të jenë fakultete. Kjo nënkupton që në këto kampuse, në vartësi të specifikave të regjioneve të jenë fakultete me programet e studimeve”, është thënë në përgjigjen e zyrës se MASHT’it.

Këto kampuse, sipas planit të qeverisë, ‘do t’iu përshtaten specifikave të regjioneve të ketë edhe fusha profesional më shumë’.

Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, prioritet të fushatës në vitin 2010 kishte premtimin e hapjeve të universiteteve, të cilat i dështuan. Por kjo kishte pak rëndësi sepse ai fitoi zgjedhjet.

Këto universitete nuk i mbron më as ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili ka dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës.

Buja, i cili gjatë mandatit të qeverisë 2010-2014 bashkë me ish-kryeministrit Thaçin përuronin universitete, tani nuk dëshiron t’i komentojë, ndërsa thotë se ato ishin krijuar sepse ashtu donte Qeveria.

“Kanë qenë vendime qeveritare, ministria vetëm i ka zbatu”, ka thënë Buja.

Universitetet nuk përformuan asnjëherë siç do të duhej dhe në vijim Agjencia e Akreditimit të Kosovës ka pezulluar shumë programe të tyre.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci thotë që universitetet jashtë Prishtinës që nga fillimi ishin krijuar jashtëligjshëm.

Pupovci ka thënë se arsyeja e krijimit të tyre ka qenë krejtësisht politike, pa u bazuar në ligj dhe këtë, sipas tij, e kanë ditur edhe ata që i kanë krijuar edhe ata që i kanë akredituar.

“Asnjëri prej këtyre 6 institucioneve që ndodhen jashtë Prishtinës nuk e plotëson këtë kushtet ligjore, prandaj nëse atyre iu hiqet emërtimi “universitet”, i hiqet për shkak të ligjit” , shpjegoi ai.

“Janë krijuar jashtëligjshëm këto universitete dhe këtë i dinë edhe ata që i kanë krijuar edhe ata që i kanë akredituar. Ato janë krijuar për shkaqe politike. Janë krijuar për vota”, ka thënë Pupovci.

Sido që të jetë, kjo iniciativë merr kohë që të ndodhë dhe nuk prek studentët që tashmë vijojnë studimet në këto universitete.

Nga zyra e ministrit thonë se kjo planifikohet të ndodhë në të ardhmen, ndërsa edhe Pupovci tregon se ky ndryshim merr rreth 10 vjet kohë.

“Tash ministri dëshiron ta korrigjojë një situatë të tillë e cila vazhdon diku deri në 10 vjet dhe mbetët të shihet”, është shprehur eksperti i arsimit.

Share Messenger

Më të lexuarat