Gara e tensionuar e Prishtinës

9 Shares Share Messenger

Kandidatët për kryetarë të Prishtinës patën mbrëmë përballjen e parë televizive, duke njoftuar opinionin se kush çka mund të bëjë për të arritur postin e të parit të kryeqytetit, që është edhe pushteti më i rëndësishëm pas atij Qendrorit.

Analistët Imer Mushkolaj e Astrit Gashi, për Gazetën Express, thonë se debati i mbrëmshëm nuk ishte konkret, kandidatët me nervozizëm akuzonin njëri-tjetrin në vend se të tregonin alternativat për zgjidhje të problemeve.

Imer Mushkolaj thotë se në debatin e transmetuar në RTV21, kandidatët për kryeqytetin dështuan të japin ide për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, duke kthyer debatin në përplasje individuale mes tyre.

Edhe për Astrit Gashin debati kishte përmbajtje të arrogancës dhe nervozizmit. Kryetari Shpend Ahmeti, sipas Gashit, ishte nervoz posaçërisht kur dëgjoheshin thirrjet e publikut në sallë për jahtin e koka kollën zëro.

Gashi e krahason Ahmetin me Isa Mustafën gjatë garës në vitin 2013 për Prishtinën, i cili, sipas analistit, ia pa sherrin nervozizmit dhe arrogancës.

Mushkolaj komenton qeverisjen e Ahmetit për katër vjet, duke thënë se i kishte mbajtur 11 nga premtimet që i ka dhënë, por sipas analistit, nuk duhet kufizuar vetëm në ato zotime.

“Nuk duhet të kufizohet vetëm në ato 11 premtime sepse trafiku dhe çështja e parkingjeve nuk është zgjidhur. Në aspektin e çlirimit të Prishtinës ka mundur të bëjë më shumë”, është shprehur Mushkolaj për Gazetën Express.

E, arsyetimet e të parit të Prishtinës për mosrealizimet, se është bllokuar nga niveli qendror, sipas analistëve, nuk mund t’i faturohen qeverisë, marrë parasysh se kryeqyteti ishte në duart e Ahmetit. Pengesat që mund të ketë pasur kryetari, ka qenë detyrë e tij që të mënjanohen sepse qytetarët mossuksesin ia atribuojnë atij që ka kompetencat.

Por, kush është konkurrenca reale e Shpend Ahmetit, i cili kryeson sondazhet e zhvilluara, ndërsa në zgjedhjet e fundit qendrore doli edhe ndër poltikanët më të votuar?

“Konkurrenca e Shpend Ahmetit varet nga baza e votuesve. LDK’ja ka bazë më të madhe të votuesve dhe kandidati i LDK’së mund të shihet se konkurrenti më serioz. Pres që gara të zhvillohet mes Shpendit dhe Arbanit”, thotë Mushkolaj.

Megjithatë, Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që kandidati i LDK’së, Arban Abrashi, të sabotohet nga një pjesë e elektoratit tradicional i partisë së tij në Prishtinë për shkak të insistimit të Ismet Beqirit për të qenë ai kandidat për kryeqytet.

“Arban Abrashi dhe LDK’së janë kundërshtarët më seriozë të Shpend Ahmetit. Sondazhet nuk po e qesin Shpendin fitues pa balotazh, prandaj këto tri javë që i kanë mbet fushatës mund të tregojnë se kah do të shkojë gara”, shprehet Gashi për Expressin.

Në debatin e mbrëmshëm, kandidati i Aleancës Kosova e Re, Selim Pacolli, sipas analistëve, ishte treguar më konkretë se sa ishte pritur.

Pacolli mund të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve dhe Gashi thotë se ai mund t’ia rrezikoj Partisë Demokratike edhe vendin e tretë në Prishtinë.

Lirak Çelaj i PDK’së më në fund kishte përballë kryetarin e Prishtinës, e si pasojë shfrytëzoi rastin që të thoshte krejt atë që deri më tani kishte mbledhur kundër tij. Kjo, sipas analstiëve, e bëri Çelajn më të zhurmshmin në debat.

Të qenurit aktiv në përballje me Shpend Ahmeti, për analistët, Cerlajn prapëseprapë nuk e bën kandidat serioz për të udhëhequr kryeqytetin. Edhe PDK, e cila nuk ishte kishte sukses në Prishtinë as në ditët më të mira të saj, është njëra nga pengesat që ka kandidati i tyre, sipas analistëve.

Arbër Vllahiu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sipas Mushkolajt, duket sikur është në garë që të përmbush në obligim dhe jo të fitojë prandaj, sipas Mushkolajt, po tregohej aq arrogant.

Share Messenger

Më të lexuarat