Futbollisti i Fenerbahçes: Muriqi është më i miri në Turqi

Share Messenger

Bashkëlojtari i Vedat Muriqit në Fenerbahce, Mevlüt Erdinç, e ka lavdëruar sulmuesin kosovar duke thënë se është ndër lojtarët më të mirë që ka parë ndonjëherë, përkundër që ka luajtur edhe në Gjermani dhe në Francë.

Që prej transferimit të tij nga Rizespori në Fenerbahce, në korrik të vitit të kaluar, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka qenë në qendër të vëmendjes në Turqi, falë formës mbresëlënëse të tij.

Në 19 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon (17 në Superligën turke dhe dy në kupën e Turqisë), Muriqi ka kontribuar për Fenerbahcen me 12 gola dhe pesë asiste.

Këto paraqitje të Muriqit s’kanë lënë pa rënë në sy të disa prej klubeve të mëdha evropiane, siç është Tottenhamit. Ndërkohë, Muriqi ka marrë lëvdata edhe nga bashkëlojtarët e tij, siç është Erdinç.

“Unë kam luajtur në Gjermani dhe Francë. Vedati është njëri ndër sulmuesit më të mirë që kam parë ndonjëherë. Ai ka vlerë të jashtëzakonshme. Shpresoj se nuk do ta kapë syri i keq. Është sulmuesi më i mirë në Turqi”, ka thënë Erdinç.

Megjithatë, Muriqi rrezikon të mos ketë mundësi ta dëshmojë vlerën e tij për skuadrën e tij në disa ndeshje, pasi që do të përballet me Komisionin Disiplinor të Federatës turke për shkak të kartonit të kuq me të cilin ishte ndëshkuar në ndeshjen kundër Gaziantepit.

Në fitoren 2:0 në këtë ndeshje, në të cilën Muriqi e asistoi golin e parë dhe e shënoi të dytin, kosovari u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë në minutën e 80-të për një ndërhyrje, ndërsa pak momente para se të përfundonte ndeshja e mori kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht të kuqin, për humbje kohe.

Analistët e akuzuan Muriqin se e kishte marrë kartonin e kuq me qëllim, në mënyrë që të pushojë në ndeshjen e kupës dhe më pas të luajë fundjavë kundër Basaksehirit. Këto akuza i kishte mohuar Muriqi.

“Asgjë nuk ka të vërtetë. Unë e godita pak topin me qëllim që të vonohet paksa loja. Po të ishte e planifikuar, në momentin e realizimit të golit, do ta hiqja fanellën. Unë vazhdoj të jap kontributin tim në synimin kryesor të ekipit, titullin e kampionit”, tha Muriqi.

Share Messenger

Më të lexuarat