Flet sulmuesi shqiptar i Malit të Zi

Share Messenger

Mali i Zi nuk pati në përbërje disa lojtarë të ndaluar nga Serbia për të zbritur në fushë për sfidën kualifikuese kundër Kosovës, por nga ana tjetër ishte një derbi shqiptar, sepse në fushë për malazezët ishte edhe Fatos Beqiraj, veterani i ekipit, i cili luajti ndeshjen e 62-të për Malin e Zi, rekord për këtë vend.

Vetë sulmuesi nuk e ka mohuar se tensioni i krijuar para ndeshjes ndikoi për keq: “Historia e ndalimit të lojtarëve për të luajtur ka ndodhur shumë shpejt, disa orë para ndeshjes, dhe sigurisht ka pasur ndikim në ekip dhe për këtë arsyeje ky rezultat duhet t’i kënaq dy ekipet. Sot ishte paraqitja e 62-të dhe jam lojtari me më së shumti paraqitje normalisht që jam krenar për këtë”.

Në intervistën për Supersport Kosova, Beqiraj nuk e fsheh se kur është hedhur shorti është lutur që mos të binte Kosova në grupin me Malin e Zi:

“Normalisht ndjenjë e çuditshme kur është hedhur shorti kam pasur vetëm një dëshirë të mos përballem me Kosovën por shorti deshi kështu. Normalisht, ka qenë ndeshje jo si gjithë të tjerat, por është ndeshje vetëm sportive. E kam parë vetëm në anën sportive”.

Beqiraj ka deklaruar se para ndeshjes ka marrë edhe disa mesazhe ofenduese nga kosovarë, çka natyrisht ia ka rritur pak presionin:

“Kam marrë disa mesazhe nga persona prej Kosove, por nuk i kam marrë seriozisht. Më kanë ofenduar, më kanë sharë, por nuk kanë ndikuar. I falënderoj të gjitha mediat prej Kosovës, i uroj Kosovës suksese në ndeshjet e radhës. Ka një të ardhme të ndritur, do të ketë rezultate të mira në ndeshjet e radhës”.

Share Messenger

Më të lexuarat