Flet gruaja kosovare që u martua 3 herë në Siri: Unë dhe fëmijët e mi jemi viktima

Share Messenger

32 gra, 74 fëmijë dhe 4 xhihadistë, u kthyen nga Siria në Kosovë në muajin prill të këtij viti. Derisa 4 burrat ndodhen në paraburgim, gratë dhe fëmijët ende po i vuajnë pasojat e traumat që morën në luftën e ISIS, që vazhdoi për vite me radhë.

Një ndër gratë e kthyera nga Siria, është edhe Laura Hyseni 25 vjeçare, ajo po qëndron në shtëpinë e prindërve të saj, në Ferizaj.

Prej atje, ajo ka rrëfyer për Al Jazeera se si mezi i mbijetoi luftës së përgjakshme, derisa përshkruan edhe se si u detyrua të martohet plot tre herë atje dhe lindi fëmijët e xhihadistëve.

Hyseni thotë se në Siri shkoi në vitin 2014 me burrin dhe dy fëmijët, por pas tre muajsh ja vranë bashkëshortin, pas kësaj, ajo u martua edhe tre herë të tjera dhe lindi edhe fëmijë të tjerë.

“Është një histori e gjatë dhe e dhimbshme. Nuk kam si t’ia filloj. Nuk ma ka marrë mendja asnjëherë që do të shkojë në Siri. Por unë nuk jam terroriste, unë dhe fëmijët e mi jemi vetëm viktima”, ka thënë ajo.

Dhimbje të madhe nga kjo luftë përjetoi edhe Sebajdin Basha, 52 vjeçar. Atij në Siri iu vranë i biri Enisi, bashkë me gruan Filloretën, derisa tani, ai kujdeset për 2 fëmijët e tyre që fatmirësisht, shpëtuan nga tmerri i ISIS’it, përcjell Gazeta Metro.

Enis Basha kur ka qenë fëmijë.

“E pyeta disa herë se pse na e bëri këtë. Biri im nuk ka qenë kështu, ai ndryshoi shumë shpejt. Enisi bashkë me gruan sapo kishin përfunduar studimet”, rrëfen ai.

Sanije Mehmeti 37 vjeç, është gruaja që do të merret dhe do t’u dalë në ndihmë viktimave të kthyera nga ISIS, ajo thotë se nuk po i besohet që do ta bëjë këtë punë.

“Nuk e kam imagjinuar asnjëherë se do të vinte kjo ditë. Nuk më besohet që do të merrem me gra të cilat e keqkuptuan fenë myslimane”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se operacioni për kthimin e 110 kosovarëve nga Siria u zhvillua nga autoritetet kosovare të drejtësisë, me bashkëpunim me ato amerikane, të cilat ndihmuan që me aeroplanët e tyre ushtarakë, të kthehen personat që gjendeshin tashmë e një kohë në Siri.

Share Messenger

Më të lexuarat