Engel nga Presheva: Kundërshtoj idenë për shkëmbim të territoreve

Share Messenger

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka qëndruar sot për një vizitë në Preshevë, prej ku ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë kundër idesë për shkëmbim të territoreve. Ai ka thënë se të dy vendet duhet të bëjnë përpjekje për të arritur një paqe afatgjate.

Engel ka thënë se një ide e tillë është shqetësuese për të, pasi që nuk i dihet se ku mund të përfundojë pazari me kufijtë, nëse nis mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mendoj fare që është drejtim i duhur shkëmbimi i territoreve. Jam i shqetësuar për këtë sepse, nëse filloni të ndryshoni kufijtë në Ballkan, ku përfundon kjo? Ka shumë vende tjera që duan të ndryshojnë kufijtë dhe për këtë arsye Ballkani u fut në telashe në fillim” ka thënë ai.

Gjatë kësaj vizite në Preshevë ka takuar kryetarin e Komunës, Shqiprim Arifin, ai foli për zhvillimet në Ballkan dhe posaçërisht për pavarësinë e Kosovës, ndërsa vuri theksin tek nevoja për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Engel ka thënë se përpjekjet duhet të përqendrohen në arritjen e një paqeje afatgjate dhe marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të arritur këtë, palët duhet të bisedojnë më njëra-tjetrën.

“Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë po ashtu një rol pozitiv në këtë drejtim”, ka shtuar kongresmeni amerikan.

Engel në Preshevë ka qëndruar pasi ka zhvilluar një takim në Beograd me kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiqin, me të cilin ka diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Share Messenger

Më të lexuarat