Dua Lipa zbulon surprizën e madhe për koncertin në Prishtinë

16 Shares Share Messenger

Dua Lipa tashmë ka arritur në Kosovë, saktësisht në Prishtinë pak ditë para performancës së saj.

Dua do të performojë me datën 10 gusht pikërisht në Parkun e Gërmisë, në festivalin ‘Sunny Hill’.

Në konferencën e sotme për media, Dua është shprehur shumë e emocionuar duke thënë se ndjehet shumë mirë që është në Kosovë.

“Po më vjen shumë mirë që jam këtu sonte edhe që po e bëjmë një festival që po mendoj se për një dy vite kena fol për këtë gjë me bë diçka ndryshe në Prishtinë pasi që e kemi bë koncertin para dy verave. Edhe mendoj se u kon bajagi e suksesshme edhe jena kënaq edhe kemi kalu shumë mirë edhe po mendoj ajo e filloj idenë me bë diçka më të madhe, me ftu artistë të tjerë internacional edhe vendas”, ka thënë Dua Lipa, transmeton Indeksonline.

Dua gjithashtu është pyetur se nëse ka qëllime më të mëdha në karrierë se sa ka arritur deri tani duke shtuar se po patjetër.

“Po patjetër, mendoj se pas çdo gjëje ka diçka tjetër që donë me e arrit, gjithnjë ka diçka për të cilën dëshiron të vazhdosh, pra të gjitha gjërat e vogla e bëjnë një gjë të madhe.

Mendoj se ky është vetëm fillimi i karrierës dhe jam shumë me fat dhe për mundësinë e kësaj të bëjë dicka për të cilën vendi im është krenar”, ka shtuar Dua.

Ndër të tjerash Dua ka theksuar se kanë pasur dëshirë shumë artistë të tjerë të jenë pjesë e këtij festivali por që pritet në vitet në vazhdim të jenë.

“Shumë kemi pas dëshirë edhe për shumë artistë të tjerë me ardhë, kemi qef me pa Rita Orën, Bebe Rexhën shumë femra të tjera artistë shqiptare që lënë markë në botë, kemi qef shumë me i pa, me i pru e me performu për Prishtinën, pra shumë ma shumë femra po kam dëshirë”, ka thënë ajo.

Këngëtarja është pyetur nëse në këtë performancë do të surprizojë publikun kosovarë me ndonjë simbol të shqiptarëve, siç kishte bërë Rita Ora me vallen shqipe. Dua nuk ka hezituar që duke buzëqeshur të thotë se po do të vishet Kuq e Zi.

“Bashkëpunimi i radhës është gati është incizu video dhe besoj që del kah fundi i muajit dhe më intereson të di se si do të ju duket dhe shpresoj se do të iu pëlqejë dhe për albumin e dytë kam filluar të punojë në fillim të vitit në janar dhe në shkurt dhe do të vazhdojë kur të përfundojë turneun që është në fund të shtatorit, pra prej tetorit edhe më tej derisa të përfundohet kështu që pritet vitin e ardhshëm me dal disa gjëra të reja”,ka shtuar Dua.

Dua ka shtuar se nuk dëshiron që njerëzit të mos e dinë ku është Prishtina dhe Kosova në përgjithësi por që vendi të njihet edhe më shumë pasi ka shumë gjëra që na e bëjnë krenar.

“Reagimi i anglezëve dhe të huajve në përgjithësi është dy përgjigje që i marr zakonisht kur më pyesin prej nga jam. E para është si është me qenë prej atij vendi edhe ku është?Edhe të dy pyetjet nuk janë pyetje apo reagime që i mirëpres pasi kisha pas qef me qenë ndryshe me thënë e di Kosovën se Rita Ora vjen nga Kosova apo Bebe Rexha apo Majlinda Kelmendi vjen nga Kosova.Sepse njerëz të ndryshëm që po bëjnë gjëra të mëdha nëpër botë janë për me njohtë Kosovën ndryshe. Po kemi dëshirë që me këtë festival të shihet se ka shumë talent nga Kosova, kreativitet e arsye të tjera për me ardhë dhe me e vizitu një vend si Kosova.Kemi dëshirë të kemi edhe një festival që t’u jepet njerëzve edhe një arsye tjetër për të pa vendin pasi kemi shumë gjëra që na e bëjnë krenar”, ka thënë këngëtarja.

Dua është pyetur lidhur me këngën e preferuar të babait të saj, Dukagjin Lipës duke e ndarë me publikun këngën e saj të preferuar ‘Beso në Diell’ të cilën e kishte performuar në koncertin e kaluar në kryeqytetin e Kosovës.

“E kemi këndu bashkë herën e kaluar, Beso në Diell padyshim se jam rrit me një shtëpi ku gjithë kohën muzika ka qenë në rrethinë dhe më ka bë të dua muzikën, të merrem me të dhe s’di faleminderit, është e gjitha falë teje”, ka përfunduar Dua.

Share Messenger